Valdrin Sahiti ka qenë kryefjalë e mediave ditën e sotme pasi u raportua se Policia e Turqisë e ka ndaluar dhe arrestuar ditën e djeshme në Aeroportin e Stambollit.
Portalet shkruajtën se arrestimi i Sahitit ka ndodhur pasi është i dyshuar për veprën penale ‘Blerje, pranimi, posedimi i drogave dhe stimuluesve për përdorim bazuar në nenin 191 të kodit penal të Turqisë’.
Megjithatë, duket se këto lajme janë të pavërteta. Fillimisht, stilitsti zbuloi se ndodhet në Dubai dhe i lirë.
Sakaq, tani ka reaguar edhe avokati i tij Besnik Berisha, i cili tha për ‘Sinjal’ se klienti i tij ka vijuar rrugën normalisht dhe ka pasur vetëm një keqkuptim me çantën të cilën e kishte harruar në aeroplan.
“Nuk është e vërtetë që ai është arrestuar e aq më pak që është paraburgosur. Përkundrazi ai ka vijuar rrugën normalisht dhe keqkuptimi lidhur me çantën e tij që e kishte harruar në aeroplan është sqaruar me autoritetet turke dhe nuk ka asnjë çështje të ngritur kundër tij në shtetin e Turqisë dhe aq më pak për posedim të paautorizuar të substancave narkotike siç është raportuar”, tha Berisha.
Më tej, ai njoftoi se Sahiti ndodhet në Dubai ku po vazhdon agjendën e tij.
“Ai aktualisht është në Dubai ku po vazhdon agjendën e tij biznesore. Falënderojmë të gjithë për shqetësimin e shprehur, por e vërteta është më ndryshe nga ajo çfarë është raportuar”, përfundoi Berisha.
