Për një botë më të sigurt, Kina ofron projektin e saj

TË FUNDIT

Kina publikoi të martën “Dokumentin konceptual mbi Nismën e Sigurisë Globale”, i cili është një projekt i ofruar nga Kina për të zgjidhur problemet e tanishme të sigurisë botërore. Në dokument shpjegohet koncepti thelbësor i nismës kineze, duke paraqitur 20 drejtime të rëndësishme bashkëpunimi dhe duke hartuar një plan të hollësishëm për vënien në jetë të saj.

Realizimi i paqes së vazhdueshme të botës është dëshira e përbashkët e popujve të vendeve të ndryshme. Por përkundrazi, në vitet e fundit, bota është bërë më e pasigurt dhe më e paqëndrueshme. Nga njëra anë, njerëzit përjetuan një betejë të vështirë me pandeminë e koronavirusit të tipit të ri. Nga ana tjetër, kërcënimet tradicionale dhe jotradicionale ndaj sigurisë po ndërlidhen në mënyrë më të ndërlikuar. Sidomos kriza e Ukrainës, e shpërthyer në fillim të vitit të kaluar, ka krijuar miliona refugjatë, duke goditur gjithashtu rëndë furnizimin me ushqime dhe energji në përmasë globale.

Nga shumë konflikte e kriza njerëzit kanë kuptuar se normat e njohura gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, si parimet e Kartës së OKB-së, nuk janë mbrojtur e zbatuar siç duhet. Disa vende perëndimore i trajtojnë problemet e sigurisë me standarde të dyfishta dhe theksojnë sigurinë e vet absolute, duke shpërfillur ose dëmtuar sigurinë e vendeve të tjera. Po ashtu, disa vende besojnë te “ligji i xhunglës” dhe promovojnë kundërvënien në grup, duke shpërdorur forcën dhe duke kërcënuar për dhunë.

Lidhur me këto “simptoma”, Nisma e Sigurisë Globale e vë theksin te këmbëngulja në gjashtë fusha, që janë përkatësisht koncepti i sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, bashkëpunuese e të vazhdueshme; respektimi i sovranitetit e i tërësisë territoriale të të tëra vendeve; zbatimi i objektivave dhe i parimeve të Kartës së OKB-së; të kushtuarit rëndësi shqetësimeve të arsyeshme për sigurinë të vendeve të ndryshme; zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe e konflikteve nëpërmjet bisedimeve e dialogut dhe bashkërendimi i ruajtjes së sigurisë në fushat tradicionale dhe jotradicionale.

Kina propozon krijimin e më shumë kanaleve për bashkëpunim e shkëmbime ndërkombëtare, për të përballuar sfidat ndaj sigurisë në luftën kundër terrorizmit, hapësirën kibernetike, rreziqet biologjike, teknologjitë e reja etj.