Urimet për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nuk kanë munguar edhe nga liderët botërorë, ku duket se kanë theksuar nevojën për normalizimin e marrëdhënieve të kësaj të fundit me Serbinë, në kuadër të planit të BE-së.
Presidenti i SHBA Joe Biden, teksa shpreh urimet e tij në këtë ditë të shënuar për Kosovën, shkruan se mirëpret njohjen reciprore Kosovë-Serbi, ku sipas tij do të ndihmojë të sigurojë një të ardhme më paqësore dhe më me prosperitet për qytetarët e të dyja vendeve.
“Ne mirëpresim miratimin tuaj për propozimin e BE-së në normalizimin, me synimin eventual të njohjes reciproke, i cili mund të ndihmojë të sigurojë një të ardhme më paqësore dhe më me prosperitet për qytetarët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Biden.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në urimin e tij ka theksuar se në këto kohë sfidash, është me rëndësi që t’i kushtohet rëndësi rifillimit të diskutimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.
“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është ajo në të cilën jemi fokusuar gjatë presidencës sonë të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2022. Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka thënë Presidenti Macron.
Në këtë ditë të shënuar nuk ka munguar urime edhe nga Presidenti i Italisë Sergio Mattarella. Në urim Mattarella, shpreh rëndësinë e arritjes së një situate të normamizuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim europian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thekson presidenti Italian.
“Konteksti aktual europian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi europian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim europian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, uron kreut i shtetit Italian.
Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier teksa ka shprehur urimet, ka shprehur mbështetje ndaj Kosovës në rrugën drejt BE.
“Gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së. Në këtë rrugë Ju mund të jeni të sigurt që e keni mbështetjen e Gjermanisë si partnere e besueshme e Kosovës”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Steinmeier.
Nje urim për 15-vjetor të Pavarësisë ka ardhur edhe nga Mbreti Charles i cili shkruan se mirëpret vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve.
“Dëshiroj t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë të veçantë për vendin tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë. Pres me padurim vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve tona, gjersa po përballemi me këto kohë sfiduese”, thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III.
Sot 15 vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira shekullore të shqiptarëve për të fituar pavarësinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli më 17 shkurt të vitit 2008 Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
