Moldavia nuk po synon anëtarësimin në NATO, tha ministri i Jashtëm Nicu Popescu, duke shtuar se neutraliteti i shtetit të tij është pjesë e Kushtetutës së vendit.
Por, Popescu, që foli me gazetarët në margjinat e samitit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bukuresht më 30 nëntor, tha se neutraliteti i Moldavisë nuk nënkupton vetëizolim, çmilitarizim ose indiferencë ndaj çështjeve botërore.
Ministrat e NATO-s gjatë takimit dyditor u zotuan se do t’i ofrojnë “mbështetje më të fortë” Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, shtete këto që sipas sekretarit të Përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, “po përballen me presion nga Rusia” pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Moldavia, një prej shteteve më të varfra të Evropës, ka pranuar qindra mijëra refugjatë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës dhe po ashtu është prekur nga reduktimet e energjisë për shkak të sulmeve të Moskës ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase.
Popescu tha se hapësira ajrore e Moldavisë është shkelur nga raketat ruse që kanë pasur për cak Ukrainën dhe se raketat ruse madje kanë rënë në territorin moldav.
“Ne jetojmë në një rajon të vështirë, të prekur nga agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës, një fakt që ka pasoja dramatike për shtetin tonë”, tha Popescu.
Moldavia, që kufizohet me Ukrainën dhe me anëtaren e NATO-s, Rumaninë, javën e kaluar paralajmëroi qytetarët që të bëhen gati për një dimër të ashpër, pasi tha se po përballet me “krizë akute” të energjisë, krizë që rrezikon të rrisë pakënaqësinë qytetare.
Në fund të takimit të ministrave të NATO-s, Stoltenberg në konferencën për media tha se aleanca do të rrisë mbështetjen për këto tri shtete, pa ofruar detaje të tjera.
“Mësimi që kemi nxjerr nga Ukraina është se ne duhet t’i mbështesim këto shtete tani”, tha Stoltenberg.
“Këto shtete preken nga ndikimi rus në shumë mënyra, por është më mirë që këto shtete të mbështeten tani sesa më vonë të shohim zhvillime që absolutisht shkojnë në drejtim të gabuar, ashtu siç pamë me pushtimin e Ukrainës më herët gjatë këtij viti”, shtoi ai.
