Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha se pret që presidenti shtetit, Stevo Pendarovski të dorëzojë në Kuvend njoftimin për dorëzimin e mandatit ndaj mandatarit të ri, përcjell TV21. Xhaferi tha se sipas informacioneve që ka, presidenti i vendit pritet që gjatë ditës së nesërme të dorëzojë mandatin deri tek mandatari i ri, pas çka do të njoftohet edhe Kuvendi.
“Afatet janë rrjedhëse, dmth rrjedhin afatet 10 ditore të kryetarit të shtetit për dhënien e mandatit për mandatarin e ri. Subjekti me më shumë mandate në Parlament dhe shumica që përbën Parlamentin ka nominuar kushdo që të jetë mandatari i ri. Në bazë të informatave që kam unë, dita e nesërme duhet të jetë dita D, e ndarjes së mandatit për mandatarin e ri, dhe nga ai moment, kryetari duhet të informojë me shkresë Parlamentin, gjegjësisht kryetarin e Parlamentin se ka ndarë mandatin dhe nga ajo shkresë që e marr nga kryetari i shtetit, fillojnë afatet 20 ditore të mandatarit për përbërjen qeveritare të re, dhe përpilim të programit të qeverisë së ardhshme”, tha mes tjerash Xhaferi duke shtuar se sipas parashikimeve seanca për votim e Qeverisë në Kuvend me gjasë do të jetë më 15 ose 16 janar.
