Bytyqi: Mandatari është ai që do të vendos nëse do të jem në Qeverinë e re

TË FUNDIT

Mandati i ri për kryeministër është ai që do të vendos nëse do të jem në Qeverinë e ardhshme apo jo, theksoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Edhe para 18 muajve, para se të formohej qeveria e re, kam thënë se nëse kryeministri i mandatuar mendon se jam mjaftueshëm i gatshëm për t’iu përgjigjur detyrave, jam gjithmonë  gati të jem pjesë e qeverisë. Ia lë edhe kryeministrit të ri të vlerësojë nëse në mandatin e tij me programin i ri, do të përshtatet më së miri profili im”,  tha Bytyqi në përgjigjen e një pyetje pas hapjes së “Forumit të inovacionit dhe biznesit Flutura”.

Ai theksoi se si funksionar i zgjedhur në 15 muajt e kaluar ka dëshmuar se duhet të veprohet me përgjegjësi ndaj nevojave të qytetarëve dhe asaj që ata presin, duke shtuar se kështu do të vazhdonte të funksionojë përsëri.

“Sigurisht që do të vendosë i mandatuari”, tha Bytyqi.