Omikron bartet 2,4 herë më shpejt se Delta dhe Alfa! “Duhen masa të reja, sidomos tani gjatë këtij muaji kur mbushen lokalet”

TË FUNDIT

Mutacioni i ri i koronavirusit, Omikron ka shkallë të lartë të bartjes në krahasim me variantin Delta, shkruan TV21. Ai mund të bartet për 500 herë më shpejt, gjë që “mbjell” shqetësime serioze. Sipas hulumtimeve të deritanishme, Omikroni mund ta anashkalojë edhe imunitetin e marrë nga anti-kovid vaksinat. Fëmijët, gjegjësisht popullata më e re, është më e ekspozuar për t’u infektuar me llojin e ri, konsideron mjeku Zllate Mehmedoviq. Nëse në Afrikën e Jugut, shkalla e infektimit në bazë ditore është 100, me variantin e ri, Omikron, kjo shkallë është rritur në 8.000. Por, pjesa më e madhe e pacientëve kanë simptoma të lehta.

“Infektimet dhe riinfektimet janë shumë të shpeshta te personat e vaksinuar. Riinfektimet janë më të shpeshta në krahasim me variantet e mëparshme, Delta dhe Alfa. Mundësia për riinfektim me Omikron është për 2,4 herë më e madhe dhe kjo është njëra nga arsyet që ky lloj është më i transmetueshëm“, tha Zllate Mehmedoviq, mjek.

Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 në Evropë në dy muajt e fundit, vjen si pasojë e llojit Delta, por Omikroni mund ta përkeqësojë gjendjen, paralajmëron ekipi teknik në Repartin për Raste Urgjente pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Prandaj, shumë vende tashmë vendosën masa kufizuese shtesë. Sipas Memedoviqit, edhe tek ne duhet të mendohet për një skenar të tillë.  

“Nëse bartja është kaq e lartë, atëherë mund të presim që gjatë disa muajve të ardhshëm Omikroni të bëhet variant dominues. Duhet të mendojmë për kufizim të lëvizjes, të reduktohen kontaktet, të kufizohet lëvizja në ambiente të mbyllura. Mendoj se duhet të harrojnë për kafene dhe restorante gjatë festave që na presin”, theksoi Zllate Mehmedoviq, mjek.

Ndryshe, Omikroni mbërriti në Greqi dhe Kroaci, por është regjistruar edhe në të paktën 38 vende të tjera të botës. Ende nuk është regjistruar asnjë rast vdekjeje. Mund të nevojiten disa javë që të vërtetohet sa është ngjitës ky variant, nëse shkakton ndonjë sëmundje më serioze dhe sa efektive janë trajtimet dhe vaksinat.