Edhe një trup është gjetur gjatë kontrollit shtesë të autobusit e djegur në autostradën “Struma”. Me këtë, numri i përgjithshëm i viktimave është 45, ashtu siç ishte publikuar në fillim. Informacionin e konfirmoi zëvendës prokurori kryesor i Shërbimit nacional hetimor Borisllav Sarafov, transmetojnë mediat bullgare.
Me këtë mbaroi misteri për pasagjerin e tetë për të cilin kishte supozime se ka mbijetuar. Vonë mbrëmë, Shadi al-Saleh emri i të cilit u përmend se është një prej të mbijetuarve, vetë e ka zgjidhur misterin. Pasi e ka parë emrin e tij në lajme, vetë është paraqitur në një televizion bullgar dhe ka thënë se ka qenë hospitalizuar, e pastaj edhe lëshuar nga spitali, por nuk ka asnjë lidhje me aksidentin në fjalë.
-Sonte është zbuluar misteri se pse ka mospërputhje mes listës së të lënduarve nga aksidenti në “Pirogov” dhe listës së pjesëmarrësve në udhëtimin e organizuar nga kompania turistike maqedonase. Shadi Saleh u paraqit në redaksi. Ai shpjegoi se ai nuk ka asnjë lidhje me fatkeqësinë. Ai është shtetas bullgar, kurse të shtunën është pranuar në Repartin e Traumatologjisë në spitalin “Pirogov” sepse e ka thyer krahun. Rezulton se Klinika gabimisht e ka regjistruar në listën e të lënduarve nga aksidenti në autostradën “Struma”. Saleh tashmë është lëshuar nga spitali.
Misterin për pasagjerin e tetë e hapi Prokuroria bullgare. Në konferencën për shtyp ku i prezantuan të dhënat fillestare rreth aksidentit, deklaruan se janë gjetur 44 trupa, kurse nga një person që ka mbijetuar kanë mësuar se janë shpëtuar 8 udhëtarë. Edhe pse konfirmuan se janë 7 të hospitalizuar, as ata nuk ishin në gjendje të japin përgjigje – kush është dhe ku ndodhet udhëtari i tetë?
“Filloi të më tregojë për incidentin, si e ka marrë çekanin dhe e ka thyer dritaren e pasme të autobusit dhe si nga aty kanë shpëtuar 8 persona. Unë i thashë që ata janë 7. Në spital janë të vendosur shtatë persona dhe ai më tha jo, kemi shpëtuar 8 persona. Gjetëm 44 kufoma. Në spital janë 7 persona, 4 meshkuj dhe 3 femra. Mbetet mister i madh se ku është personi i tetë”, pohoi Sijka Mileva, zëdhënëse e Prokurorisë së Bullgarisë.
Drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, Aleksandar Stankov, pasi u paraqitën dyshime për të mbijetuarin e tetë, deklaroi se në vendin ku ndodhi aksidenti janë gjetur 44 trupa dhe mbetje kufomash, duke shtuar se derisa nuk përfundojnë analizat e ADN-së, nuk mund të përcaktohet numri i saktë i viktimave.
