Tragjedi e madhe në Bullgari! Përplaset autobusi, vdesin 46 persona, kryesisht nga RMV

TË FUNDIT

Të paktën 46 persona, shumica prej të cilëve turistë nga Maqedonia e Veriut, vdiqën pasi një autobus u përplas dhe u përfshi nga flakët në një autostradë në Bullgarinë perëndimore.

Sipas zyrtarëve vendas ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 02:00 në një autostradë 40 kilometra në jug të kryeqytetit Sofje, njofton TV21.

Kreu i shërbimit të kontrollit të fatkeqësive të vendit, Nikolay Nikolov, tha për mediat se “45 ose 46 njerëz vdiqën” në aksident ndërsa 7 pasagjerë u shpëtuan dhe u evakuuan në një spital në kryeqytet.

Ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidentit në këtë fazë.

Sipas kanalit BTV, në automjetin, i cili kishte ardhur nga Stambolli dhe ishte nisur për në Shkup, ndodheshin 12 fëmijë.

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për TV21 ka bërë të ditur se në autobus kanë qenë 53 udhëtarë, prej tyre 12 fëmijë. 46 persona kanë ndërruar jetë, kurse 7 janë në spitalin e Sofjes.