ASH – AAA: Akoma nuk kemi përgjigje nga institucionet për menaxhimin e keq me shkollën e mesme “Zef Lush Marku”

TË FUNDIT

“Llogaridhënia është një nga tiparet dhe karakteristikat që e veçojnë koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Sot jemi mbledhur para jush që t’ju informojmë se edhe pas shumë përpjekjeve ne nuk kemi asnjë përgjigje lidhur me pyetjet e parashtruara ndaj institucioneve kompetente. Gjegjësisht, bëhet fjalë për Shkollën e Mesme “Zef Lush Marku’”, në Shkup.  Sot jemi këtu që edhe njëherë të kërkojmë llogari nga përgjegjësit e keqmenaxhimit me këtë shkollë të mesme. 

Të dashur qytetarë, pyetja jonë e parë drejtuar bartësve të funksioneve publike, përkatësisht zyrtarëve të BDI-së, është:

-A ekziston ndonjë dokument me të cilin vërtetohet se është kryer pranimi teknik i shkollës? A është e vërtetë që mijëra nxënës ndoqën mësimet në një objekt që u lëshua në përdorim pa pranim teknik? A rrezikoi dikush me vetëdije jetën e nxënësve, mësuesve dhe stafit tjetër vetëm për hir të fitimit të pikëve politike? A shprehet përsëri, si shumë herë më parë mungesa e seriozitetit dhe përgjegjësisë së zyrtarëve të BDI-së!?

 Pyetja e dytë, është:

-E njëjta shkollë e drejtuar në librat kadastralë, pra në planin e detajuar urbanistik të Komunës së Butelit, qëndron si një ndërtesë e ndërtuar ligjërisht ose si ndërtim i paligjshëm?  Nëse figuron si ndërtim i paligjshëm, a ka filluar procedura e legalizimit dhe deri ku ka arritur procedura?

Dhe në fund, në emër të parandalimit, në emër të mbrojtjes së jetës së njerëzve, ne i dërgojmë thirrje publike këshillit inspektues që të ndërmarrë veprime procedurale me të cilat do të kontrollonin dokumentacionin teknik të shkollave në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

E përfundojmë këtë konferencë për shtyp  duke theksuar se përgjegjësia morale, politike dhe ajo penale duhet patjetër , urgjentisht të fillojnë të funksionojnë në Maqedoninë e Veriut, sepse këto janë vlera njerëzore fillimisht, por dhe dritë e gjelbër për në Evropë”.