Presidenti i SHBA- së, Xho Bajden dyshon në suksesin e impiçmentit të paraardhësit të tij Donald Tramp.
Në një intervistë për Si-En-En, Bajden tha se ai mbështeste impiçmentin kundër Trampit, por besonte se ai nuk do të merrte vota të mjaftueshme në Senat. Që procedura të jetë e suksesshme, të paktën dy të tretat e senatorëve duhet të votojnë kundër ish-presidentit. Kjo do të thotë që impiçmenti duhet të mbështetet nga 17 senatorë republikanë. Bajden mendon se një rezultat i tillë nuk ka gjasa.
Rezoluta e impiçmentit ishte miratuar tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve më 13 janar. Ajo u paraqit në Senat të hënën në mbrëmje. Procedura do të fillojë pas 8 shkurtit.
Trampi është presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili ballafaqohet me impiçment dy herë. Këtë herë ai akuzohet për nxitje të trazirave. Më 6 janar, mijëra mbështetës të tij hynë në Kongres për të parandaluar ligjvënësit të përcaktojnë rezultatet e zgjedhjeve. Si rezultat i saj disa njerëz vdiqën dhe të shumtë u plagosën.
Nëse procesi i impiçmentit është i suksesshëm, atëherë Trampi do të humbasë mundësinë për të mbajtur funksione publike duke përfshirë rikandidimin për president.
