Afrika u godit nga vala e dytë më vdekjeprurëse e Kovid-19

TË FUNDIT

Vala e dytë e epidemisë me Kovid-19 u tregua më vdekjeprurëse në Afrikë, ku shkalla e vdekshmërisë e tejkaloi mesataren botërore, njoftoi sot Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në Afrikë (CDC Afrikë).

“Shkalla e vdekshmërisë nga virusi korona në Afrikë tani është 2,5 për qind nga rastet e vërejtura, që është mbi mesataren botërore që është 2,2 për qind”, deklaroi drejtori i agjencisë së specializuar të Unionit Afrikan (UA), Xhon Nkengasong.

Numri i të sapoinfektuarve në Afrikë muajin e kaluar shënoi rritje prej 14 për qind në nivel javor.

Që nga fillimi i pandemisë në Afrikë janë regjistruar 3,3 milionë raste dhe gati 82.000 raste të vdekjes.

Ngengasong theksoi se shkalla e vdekshmërisë tregon për ndryshim sa i përket valës së parë, kur vdekshmëria ishte nën mesataren botërore. Për momentin në 21 shtete afrikane është vërejtur shkallë më e lartë e vdekshmërisë si pasojë e Kovid-19 në mesatare botërore.

Sudani ka shkallë të vdekshmërisë prej 6,2 për qind, Egjipti – 5,5, Liberia -4,4, ndërsa Republika Demokratike Arabe e Saharasë – 11,8 për qind.

“Rritje e vdekshmërisë është për shkak të numrit të rritur të të infektuarve që i mbingarkoi sistemet shëndetësore të kontinentit”, theksoi Nkengasong, duke shtuar se ka nevojë edhe për oksigjen, që përdoret në mjekimin e pacientëve të rëndë.

UA javën e kaluar bëri të ditur se ka porositur 270 milionë vaksina përmes sistemit Kovaks. Vijojnë edhe bisedime me Rusinë dhe Kinën për numër shtesë të vaksinave.