Pas tre vite mungesë Shqipëria bëhet me Gjykatë Kushtetuese

TË FUNDIT

Gjykata Kushtetuese është zyrtarisht funksionale ne Shqipëri  pasi Përparim Kalo është betuar sot në Presidencë dhe merr detyrën si anëtari i gjashtë duke plotësuar kuorumin e nevojshëm.

Ditën e djeshme mes Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos, Ilir Meta zgjodhi këtë të fundit si më i vlerësuar nga KED.

Tashmë Gjykata Kushtetuese e cila prej thuajse 3 vitesh mungonte në Shqipëri, është funksionale me kuorumin e nevojshëm prej 6 anëtarësh dhe mund të fillojë punën tashmë pas betimit të Kalos.

Pritet gjithashtu që ditët në vijim të ketë dhe një emërim tjetër, të anëtarit të shtatë.

Nga qyteti i Elbasanit, Presidenti Ilir Meta foli për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila u bë funksionale pas tri vitesh, duke thënë se ky ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend.

Meta tha se Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej në asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por sipas tij, procesi u bllokua disa herë nga mazhoranca, që kishte qëllim të kapte këtë institucion.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend, ku sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por ka ende punë për të pasur një gjykatë plotësisht funksionale dhe për Presidentin funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbësore dhe unë uroj e shpresoj që të gjithë, edhe anëtarët e kësaj gjykate ata që janë bërë pjesë e saj dhe ata që do të bëhen pjesë, të kenë përgjegjshmëri maksimale për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni për shtetin e së drejtës, të drejtat e shtetit tonë, për të mbrojtur demokracinë. Unë do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni dhe gjithë institucioneve të tjera. Gjykata Kushtetuese mund dhe duhet të ruajë një rol edhe më të madh në të ardhmen”, tha Meta.

Aktualisht organi më i lartë gjyqësorë ka 6 anëtarë, nga 9 që duhet të kishte normalisht.