Me ftesë të ministrit shtetëror për Evropë të Republikës federale të Gjermanisë, Mihael Rot, zëvendëskryetari i Qeverisë, i angazhuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, prej sot do të qëndrojë për vizitë dyditëshe pune në Berlin.
Siç kumtoi SÇE, kjo është vizita e parë e përfaqësuesit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pas formimit të saj, ndërsa njëherit edhe e para gjatë kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së. Gjermania si kryesuese aktuale me Unionin e udhëheqë procesin e harmonizimit të Kornizës negociuese, dokument kyç në pajtim me të cilin do të zhvillohen negociatat.
Në suaza të vizitës janë paraparë takime të Dimitrovit edhe me këshilltarin kryesor për politikë të jashtme dhe të sigurisë të kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Heker, me këshilltarin për politikë të jashtme të presidentit të Gjermanisë Frank-Valter Shtajnmajer, Tomas Bager, me të autorizuarën për politika të BE-së në MPJ-në gjermane, Zabine Shter, me drejtoreshën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqi dhe shtetet e EFTA-s, Suzane Shuc, si dhe me bashkëbisedues relevantë në kontekst të mbështetjes gjermane për të ardhmen tonë evropiane.
Theksi kryesor gjatë bisedimeve do të vihet në realizimin e qëllimit të përbashkët, tashmë të konfirmuar të Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë – mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në deri në fund të vitit. Krahas këmbimit të mendimeve për dinamikën e miratimit të kornizës, zëvendëskryeministri Dimitrov do t’i hapë edhe çështjet për bashkëpunim rajonal në kontekst të Procesit të Ballkanit, iniciatore e të cilit është mu Gjermania, si dhe për mundësitë për avancim të bashkëpunimit zhvillimor bilateral dhe marrëdhënieve tregtare, shtohet në kumtesën e SÇE-së./MIA
