Në Rumani shpallet tre ditë zie

TË FUNDIT

Qeveria e Rumanisë shpalli tre ditë zie për shkak të zjarrit në klubin e natës në Bukuresht, me ç’rast humbën jetën 27 veta.

Fatkeqësia ndodhi pasi që shpërtheu zjarri në klubin e natës “Kolektiv” në Bukuresht. Ky është një prej fatkeqësive më të mëdha në Bukuresht në dekadat e fundit. Zjarri u shkaktua nga mjetet piroteknike gjatë koncertit të grupit hevi metal rumun “Goodbuy to gravity”. Në koncert ishin të pranishëm rreth 400 njerëz.

Në incident janë lënduar rreth 200 veta, prej të cilëve 146 janë hospitalizuar për shkak të djegieve, tymit dhe lëndimeve. Sipas burimeve spitalore, nëntë nga të lënduarit janë në gjendje kritike, si dhe këngëtari dhe basisti i grupit.

Zjarri fillimisht përfshiu një shtyllë dhe pastaj edhe çatinë e objektit. Pas shpërthimit të zjarrit u shkaktua rrëmujë.

“Ky është moment shumë pikëllues për popullin tonë”, ka shkruar në Fejsbuk presidenti rumun Klaus Joanis.

Ai deklaroi se ka fakte që klubi i natës nuk i është përmbajtur rregullave të sigurisë.