Për herë të parë, pas gjithë kaosit dhe tymnajës që po ndodh në Kosovë, qeveria shqiptare ka dhënë qëndrimin e saj për marrëveshjen që ka të bëjë me asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ka qenë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili është shprehur sot për këtë çështje, ndërsa ka mbajtur një fjalim mbi politikën e jashtme të Shqipërisë, para mediave dhe studentëve të shkencave politike. Ndërsa është pyetur lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj asociacionit të komunave, Bushati tha se si Kosova dhe Serbia kanë bërë kompromise të dhimbshme sipas pikëpamjes së secilit prej dy shteteve, dhe BE nga ana tjetër ka ofruar disa iniciativa ku në rastin e Serbisë i është dhënë drita e gjelbër për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, dhe për Kosovën është arritur e marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Ministri tha se kjo marrëveshje nuk e cenon sovranitetin e Kosovës, por se duhet parë edhe implementimi i marrëveshjes.
Lidhur me bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë ministri Bushati tha se në këto dy vite është përforcuar ndjeshëm me mbledhjet e përbashkëta të qeverive dhe me vijimin e implementimit të marrëveshjeve të përbashkëta. Aktualisht ka pengesa dhe barriera në bashkëpunimin ekonomik, -tha ministri,- por edhe këto do të kalohen.
Ministri foli edhe për angazhimin e Shqipërisë në përmirësimin e gjendjes dhe të drejtave të shqiptarëve në rajon, sidomos në Luginën e Preshevës, për t ë cilën tha se do ti kërkohet Serbisë që të zbatojë marrëveshjet e firmosura siç është edhe ajo e njohjes së ndërsjellat të diplomave, ngritjen e maternitetit në Preshevë, apo një organizim më të mirë politik të shqiptarëve në Luginë.
