Dy ditë para skadimit të afatit plotësues për finalizimin e marrëveshjes së 2 qershorit, partitë politike nuk kanë dhënë sinjale të qarta rreth lëvizjes së procesit të bisedimeve.
Zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, në takim me qytetarët e Manastirit deklaroi se bisedimet dështuan për shkak se VMRO-DPMNE nuk do që të lejojë që opozita të ketë ministër të punëve të brendshme.“Kur kuptuan se nuk ka shmangie dhe se rrethi i tyre po mbyllet, ata duhej që patjetër t`i ikin marrëveshjes. Pra është e qartë se arsyeja e vetme e dështimit të bisedimeve është se ata nuk donin që opozita ta ketë ministrin e brendshëm, me të gjitha kompetencat që i takojnë një ministri”, vlerësoi Shqerinska
LSDM përmes një komunikate theksoi sot se nuk do të kalojë asnjë arsyetim i Nikolla Gruevskit për skenarët e zeza që po ia përgatit Maqedonisë. Sipas kësaj partie, Gruevski do të jetë fajtori kryesor, nëse vendi humb rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi deklaroi se partia e tyre ka qëndrim të qartë se patjetër duhet të respektohet marrëveshja e 2 qershorit dhe se nuk ka alternativë tjetër.
Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që partitë politike sa më shpejt të merren vesh për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit. Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Piter Vanhojte paralajmëroi se nëse nuk arrihet marrëveshja, nuk përjashtohet mundësia e zbatimit të masave më të ashpra.
Vanhojte theksoi se nuk mund të thotë se cili është plani B për Maqedoninë, por ai tha se vendi mund të përballet me probleme duke përmendur shembullin e Bjellorusisë.
Vasko Magleshov
