Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku ishte në panelin qendror të Kongresit, që u zhvillua në Madrid të Spanjës. Para përfaqësuesve të partive anëtare të familjes më ta madhe politike evropiane, kryeministri Isa Mustafa mbajti një fjalim, ku ndër të tjera tha se qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe se ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa po ashtu ka folur për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, duke theksuar se tashmë Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se së shpejti pritet nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët, thuhet në komunikatën për media.
Kurse i takon marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri Mustafa citohet të ketë thënë se ka ngecje në implementimin e tyre. Ndërkaq, lidhur me faktin se këto marrëveshje kanë hasur një rezistencë të fortë nga partitë opozitare në Kosovë dhe veprime të dhunshme dhe jodemokratike, kryeministri Isa Mustafa tha se këto veprime nuk përkrahen nga qytetarët e Kosovës.
Siç thuhet në njoftim, Kryeministri Isa Mustafa foli edhe për hapat e Qeverisë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke theksuar se e Kosova ka miratuar ligjin që ndalon qytetarët tanë për të marrë pjesë në luftëra të huaja, dhe strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Lidhur me migrimin e fillimit të këtij viti, kryeministri citohet të këtë thënë se Qeveria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të menaxhuar situatën, se Kosova është një vend i sigurt dhe se Qeveria e Kosovës angazhohet në mbështetjen e procesit të riintegrimit të qytetarëve të saj.
Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në takimet e Asamblesë Politike të EPP-së, si dhe ka zhvilluar takime me homologë si dhe liderë të partive evropiane të qendrës së djathtë, anëtare të EPP-së./ 21Media

