I pasigurt rekomandimi për në BE

TË FUNDIT

Në qoftë se partitë politike nuk i rifillojnë bisedimet për realizimin e Marrëveshjes së Përzhinos, rekomandimi për bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të jetë i pasigurt, konsiderojnë ekspertët. Edhe pse raporti tanimë është gati, ardhja e eurokomesarit Johanes Han ditën e nesërme, vetëm dy ditë para publikimit të raportit, lë hapësirë për dyshime, thotë Aleksandër Jovanovski nga Qendra për politika evropiane, më tepër vazhdon:

“Aktualisht po bisedohet për raportet politike që hyjnë në strategjinë e zgjerimit. Normalisht, vetë njoftimi për ardhjen e eurokomesarit Han të hënën, të sigurohet se ç’është bërë sa i takon marrëveshjes politike, ka për qëllim të vendosë, se Komisioni Evropian vallë do ta përsëritë rekomandimin, i cili varet kryekëput nga implementimi i Marrëveshjes së Përzhinos”

Në anën tjetër ndërkaq, profesoresha Malinka Ristovska, konsideron se Maqedonia megjithatë do të marrë raport pozitiv dhe kjo do të jetë një nxitje për tejkalim të krizës. Ajo shtoi se kriza politike jo vetëm që e ka larguar Maqedoninë nga integrimet evropiane, por e ka bllokuar funksionimin e përgjithshëm të vendit.

“Kriza politike i shfaqi të gjitha problemet e hidhura me të cilat Maqedonia po përballej tanimë një kohë e ca, dhe përnjëherë erdhi në shpërthim të të gjithë situatës, e kjo jo vetëm në rrugën drejt euro-integrimeve. Si pasojë, erdhi deri te ngecja e funksionimit të institucioneve dhe kjo u reflektua edhe mbi arsimin dhe kulturën”, theksoi Malinka Ristovska nga Lëvizja Evropiane për Maqedoninë.

Nga Komisioni Evropian me anë të një njoftimi, informuan se raportet vjetore në lidhje me përparimin e Maqedonisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit, do të publikohen me një javë vonesë. Arsyeja e kësaj shtyrjeje është fokusimi i vëmendjes së diplomatëve evropianë në Samitin e Brukselit dedikuar emigracionit.

Sipas ekspertëve, është e sigurt se edhe në raportin vjetor, përsëri do të ceken pikat problematike në të cilat shteti duhet të përqendrohet, siç janë reformat në gjyqësi dhe në administratën publike, liria e shprehjes, përmirësimi i pozitës së mediumeve, si dhe lufta kundër korrupsionit.