Aksel Ahmedovski, është avokat nga Shtipi. Ai për televizionin tonë rrëfen se si është ndjena të jesh I turpëruar para 200 vetëve vetëm se je rom.
Ai si avokat mbron 20 raste të tilla nëpër gjykatat e Maqedonisë. Nga dhjetëra dosjet e dorëzuara në gjykatë vetëm katër raste vlerësohen me diskriminim dhe trajtim jo të barabartë. “Ndjenja ishte e pakëndshme, pasi që kur sheh prej 200 vetëve nga grupit, vetëm ty të pyesin a ke me vete para, pse i ke ato para, dhe ku do të shkosh. Ndjenja është vërtetë e pakëndshme, shikimin i të gjithëve është i drejtuar tek ti, mendojnë se ke bërë ndonjë vepër penale apo je i ndjekur nga dikush. Përjetohet një turp, një situatë stresuese, ankth”, thotë Ahmedovski.
Në këtë debat morri pjesë edhe Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili tha se prej vitit 2011 e deri më sot pengohet liria për lëvizje të romëve, ndërkaq Qeveria dhe Kuvendi heshtin në lidhje më këtë problematikë. “Avokati i Popullit udhëhoqi një numër të madh të procedurave me ç ‘rast konstatoi cenimin e të drejtave të tyre, përkatësisht diskriminimin. Avokati i Popullit në përputhje me mandatin dhe kompetencat e tij, i shfrytëzoi të gjitha kompetencat e tij, i shfrytëzoi të gjitha mundësitë ligjore, edhe atë: nga konstatimi I diskriminimit dhe dërgimit të rekomandimeve, deri në përgatitjen dhe dërgimin e raporteve pranë Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të cilët, për fat të keq, gjithashtu sikurse edhe Ministria e Punëve të Brendshme heshtën dhe akoma heshtin”, theksoi Memeti.
Ndërkaq, përfaqësues nga Komiteti i Helsinkit thonë se trajtimi i komunitetit rom në Maqedoni është zhgënjyes dhe vlerësojnë se përderisa është kjo qeveri në pushtet nuk do t’i pranojë rekomandimet e organizatave joqeveritare nga i gjithë sektori civil.”E gjithë kjo që po ndodh me romët, përjashtimi i qytetarëve me karakteristika të ndryshme nga shumica popullsisë është veti e pushtetit. Në këtë betejë nuk mund të arrihet rezultat pozitiv nëse vetëm sektori civil bën përpjeke. Është e qartë se kemi pushtet që nuk do t’i pranojë rekomandimet”, tha drejtoresha e Komitetit të Halsinkit në Maqedoni, Uranija Pirovska.
Në debat ishte e pranishme edhe shefja e Misionit të OSBE-së, Nina Suomalainen, e cila i bëri me dije Qeverisë së Maqedonisë se ky lloj diskriminimi nuk guxojë të ndodh në vende demokratike ashtu siç është Maqedonia.
Arbana Qerimi
