Nuk do të lejohet ndërtimi i “Shkallëve spanjolle” dhe rrugës përskaj lumit Vardar. Këtë porosi sot e përcollën kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në një konferencë me gazetarët . Ata thanë se këto qëndrime nuk kanë të bëjnë me çështje politike, por janë në interes të qytetarëve.
“Ndalimi nuk do të jetë vetëm për rrugën nebuloze përskaj lumit Vardar, por do të jetë edhe për “Shkallët spanjolle”. U bëjmë thirrje atyre që janë në pushtet që t’i ndalojnë të gjitha ndërtimet. Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i ndalojmë ne. Kjo nuk është luftë politike, por është luftë për interesat e qytetarëve”, deklaroi Andrej Zernovski, kryetari i Komunës Qendër.
Edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev tha se nuk bëhet fjalë për inate, revanshizëm dhe politikë midis opozitës dhe pushtetit. Sipas tij, ndërprerja e këtyre ndërtimeve do të bëhet duke gjetur mundësitë ligjore që janë në kompetencë të Komunës Qendër dhe përmes vendimeve të kryetarit dhe Këshillit Komunal.
Qyteti i Shkupit ka sqaruar edhe sot ndërtimin e rrugës përskaj lumit Vardar. Sipas tyre, bëhet fjalë për një rrugë lokale e jo për rrugë trafiku që është e parashikuar me plan të detajuar urbanistik, dhe se ky plan është miratuar edhe nga Komuna Qendër.Për këtë rrugë planifikohet që të vlejë regjim i veçantë i trafikut, edhe atë vetëm për veturat zyrtare të Telekomit, të zjarrfikësve dhe të ndihmës së shpejtë.
Këshilli i Qytetit të Shkupit më 31 gusht me 24 vota “për” dhe 10 “kundër” votoi vendimin për ndërtimin e “Shkallëve spanjolle” në qendër. Aktuale është edhe rruga përskaj lumit Vardar, përmes cilës automjetet do të lëvizin përmes tarracave të kafeneve drejt ndërtesës së Telekomit, aty ku tani është shtegu vetëm për këmbësorë.
Aleksandra Smileska
