Gjergj Prekoçaj dëbohet nga Maqedonia, 5 vjet ndalesë hyrjeje

TË FUNDIT

Pas procedurave dhe vendimit të gjykatës së Ohrit, shtetasi zviceran Gjergj Prekoçaj, përmes pikë kalimit kufitar Qafëthanë po e lëshon Maqedoninë e Veriut.

Atij përveç se i është ndaluar hyrja për 5 vjet në Maqedoni, gjithashtu është gjobitur me 1080 euro për shpalosjen e flamurit në Kalanë e Ohrit.

Këto për TV21 i tha Kryetari i shoqatës të të burgosurve politikë shqiptar, Shpëtim Pollozhani.  Ai gjithashtu tregon se Prekoçaj nuk ishte organizator, por para policisë ka deklaruar se ai është personi që e shpalosi flamurin, gjë që solli shoqërim e tij në polici.

Televizioni 21 kontaktoi zëdhënësin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, Stefan Dimoski tha se nuk ka informacione shtesë përveç asaj që personi është thirrur në bisedë në SPB-Ohër. Na drejtoi tek Prokuroria Themelore Ohër, por nga atje askush nuk e hapi telefonin.

Kujtojmë se Gjergj Prekoçaj ishte pjesë e grupit të arbëreshëve që këto dy ditë kanë qëndruar në Strugë, për të vizituar disa vende historike si dhe vende ku ka luftuar heroi kombëtar Skënderbeu. Bashkë me ta ishte edhe stërnipi i Skënderbeut, Loris Castriota Skanderbegh.