Kaluan 12 ditë nga fillimi i fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale. Nëse vlerësohet sipas mesazheve që i drejtuan kandidatët në takimet e mbajtura me qytetarët, atëherë fushata më shumë u ngjan zgjedhjeve parlamentare, sesa presidenciale, thanë bashkëbiseduesit në debatin “Click Plus”. Sipas Tatjana Lloparski nga “Element PR”, fushatën korrekte dhe të drejtë, e ka prishur spoti televiziv i një kandidati, në të cilin ofendohet kundërkandidati.
“Në momentin kur kalohet në ofendim të një kandidati tjetër, e të mos harrojmë se ne, qytetarët paguajmë për këto video, sepse një pjesë e buxhetit ndahet për reklamimin e tyre, duhet të kihet kujdes për ndjenjat e qytetarëve. Duhet pasur kujdes me këto spote, çfarë mesazhi përcjellin kur ofendohet një kandidat tjetër”, u shpreh Tatjana Lloparski nga “Element PR”.
Lapsuse, gafa dhe gabime gjatë fjalimeve. Por, tani parashtrohet pyetja nëse kjo është strategjia e ekipeve të kandidatëve për President apo diçka tjetër?
“Unë mendoj se bëhet fjalë për strategji, e jo lapsus. Ndoshta dikush do t’i tingëllojë si diçka joadekuate, por kjo është pjesë e paraqitjes. Mendoj se është diçka e qëllimshme. Sido që të jetë, ekipet duhet të angazhojnë ekspertë për segmente të veçanta në komunikim, jo vetëm në pjesën e prodhimit të videove”, tha Goce Pamcevski.
Por, ndonjëherë edhe vetë lapsuset dhe gafat mund të ndikojnë në mënyrë pozitive mbi simpatizuesit apo votuesit.
“Populli i do këto momente, sepse në këtë mënyrë i përjeton politikanët se janë qenie të gjalla dhe se edhe ata mund të gabojnë. Nuk është asgjë e frikshme. Gjithmonë kanë ekzistuar. Këto nuk janë gafa ose skandale serioze. Nëse ka qenë vel apo spirancë, Kërçovë apo Koçan. Kjo është diçka që populli do ta mbajë mend dhe me këtë do të bëjë shaka”, potencoi Lukrecija M.Atanasovska nga “Akademia për Protokoll”.
Sipas bashkëbiseduesve në “Click Plus”, gjëja më e rëndësishme është që kandidatët me paraqitjet e tyre t’i bindin qytetarët e pavendosur që të votojnë për ta, kurse pastaj, kur do të zgjedhet Presidenti i ri, ai duhet ta ndjekë interesin e qytetarëve, e jo interesin e partisë, e cila ka qëndruar pas kandidaturës së tij.
