Kanë kaluar 6 ditë nga takimi i fundit i grupeve të punës për projektligjin për prokurorinë. Ministria e Drejtësisë dhe VMRO-DPMNE të pakoordinuar për takim. Nga kabineti i Ministres Renata Deskoska thonë se e kanë ftuar për takim përfaqësuesin e VMRO-së Toni Menkinovski, por ky ka kërkuar që takimi të shtyhet.
“z.Menkinovski është thirrur sot në takim, por përgjigja ishte se ende nuk kanë ndërtuar qëndrime për disa çështje dhe kërkoi shtyrje të takimit, deri në ndërtimin e qëndrimeve partiake”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Menkinovski e pranon se ka kërkuar shtyrje të takimit por shpjegon arsyet. Sipas tij Deskoska, nga takimi i fundit nuk është bërë e gjallë, ndërsa të shtunën i ka dërguar Menkinovskit materiale për shqyrtim.
“Sot Deskoska kërkon takim, unë nuk mundem nga e shtuna për sot, sepse duhet ta mbledh grupin tim të punës që ta shohim materialin, të diskutojmë dhe të japim vërejtje ditëve në vijim”, tha Toni Menkinovski, nga Grupi i Punës i VMRO-DPMNE-së.
Nga Ministria e Drejtësisë e pranojnë që të shtunën i kanë dërguar Menkinovskit tekst të përpiluar me një pjesë të amendamenteve të VMRO-DPMNE-së që sipas Ministrisë së Drejtësisë, nuk i rrezikojnë proceset dhe statusin e Prokurorisë Speciale. Nga kabineti i Deskoskës shtojnë se tani përmes këtij materiali VMRO-ja tani duhet të ndërtojë qëndrim, duke i pasur parasysh edhe kriteret për nisje të bisedimeve. Menkinovski i tha TV21 se deri pasnesër mund të pritet takim i ri, ndërkaq Kryeministri Zaev pret që takimi të zhvillohet nesër.
“Besoj se nesër do të vazhdonin takimet. Detaje do të japë Ministrja dhe përfaqësuesi i opozitës, se kur saktë do ta organizojnë takimin po i di detajet, se cilat janë ndryshimet në thelb në ato katër aspekte ku janë bërë ndryshime që kanë ndikim serioz ndaj thelbit të të gjitha amendamenteve të dorëzuara nga opozita. E gjitha kjo më jep shpresë të besoj se procesi do të ketë sukses, por ju lutem për më shpejtë, sepse krahas bisediemev, ka edhe procedura kuvendore për këtë proces, andaj ditat nuk janë aq të shumta sa duken”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Zaev nuk konsideron se procesi po zvarritet, ndërsa shton se afetet janë deri në fillim të majit, në mbylljen e raportit të Komisionit Evropian. Ndërkaq euroambasadori Samuel Zhbogar shpreson dhe ka pritshmëri që vetë palët do të gjejnë një zgjidhje, pa nevojën e ndonjë ndërmjetësimi ndërkombëtar.
“Nuk mendoj se ka nevojë, sepse institucionet, partitë politike komunikojnë dhe mendoj se ata vetë mund ta gjejnë zgjidhjen. Ne shpresojmë dhe presim që ata të gjejnë një zgjidhje, që kështu prokuroria Speciale të mund të vazhdojë punën e saj shumë të rëndësishme që duhet ta kryejnë”, theksoi ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar.
Qeveria kërkon që Specialja të jetë prokurori e veçantë në radhët e prokurorive publike, ndërsa opozita e Mickoskit propozon që ajo të jetë departament i Prokurorisë Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qëndrime të ndryshme kanë edhe në përdorimin dhe përpunimin e materialeve të përgjuara, të njohura si “bombat”. Po ashtu një kërkesë tjetër e VMRO-DPMNE-së është shkarkimi i ekipit të Katica Janevës; si dhe zgjedhje e kryeprokurorit me propozim të opozitës.
Përgatiti: Besir Arifi
