Thaçi: Nuk do të ketë më kurrë izolim të Drenicës

TË FUNDIT

Drenica nuk do të jetë më asnjëherë e diskriminuar apo e izoluar. Do të ketë vetëm mirëqenie dhe progres për këtë pjesë të Kosovës, e cila dha trima të pashembullt që i dhanë liri Kosovës. Kështu ka deklaruar sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke shtuar se asgjë nuk ndodh rastësisht, sepse lindi, u forcua dhe fitoi populli i Kosovës. Në tubimin përkujtimor ku janë nderuar në 20 vjetorin e rënies martirët e fshatit Polac të komunës së Skenderajt, Thaçi kujtoi se anekënd Kosovës po përkujtohen martirët dhe heronjtë e kombit, teksa shtoi se shteti do të jetë gjithmonë afër familjeve të tyre dhe gjithë shoqërisë. Dhembja e familjarëve të të rënëve për liri, sipas tij, përcjellë institucionet në vendimmarrje institucionet e vendit. “Përderisa ne kujtojmë kështu të bashkuar martirët tonë, heronjtë tonë, luftën tonë, të jeni të sigurt se jemi në rrugë të drejtë të forcimit të shtetit tonë, të ndërtimit të së ardhmes, të zhvillimit tonë. Ju e shihni, si gjithë Kosova, edhe Drenica ka ndryshuar. Nuk do të ketë më kurrë, siç ka ndodhur në të kaluarën, izolim apo diskriminim për Drenicën. Do të ketë vetëm ecje përpara, do të ketë vetëm zhvillim, vetëm progres, do të ketë vetëm mirëqenie… Ne duhet të jemi krenarë me të kaluarën tonë, me dinjitet dhe integritet, ato vlera të UÇK-së që janë sublimimi i historisë tonë për liri dhe pavarësi, çdo ditë, çdo minutë, kudo që jemi t’i kultivojmë, t’i forcojmë dhe t’i bartim tek gjeneratat e ardhshme”, tha ai.