OPOZITA SHQIPTARE I KUNDËRPËRGJIGJET AHMETIT, KASAMI KA VOTUAR, SELA DO TË PËRGJIGJET MË VONË

TË FUNDIT

Opozita shqiptare i kundërpërgjigjet kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, i cili mbrëmë shprehu zhgënjimin e tij për bojkotin e kreut të “Besës” dhe “Aleancës për Shqiptarët” në zgjedhjet Presidenciale.

“Ne e kemi ditur që kemi opozitë jo edhe të përgatitur për rrugëtime të gjata. Dhe sot jam shumë i dëshpëruar me bojkotin që krerët e opozitës kanë bërë ndaj këtij procesi kaq madhor që u zhvillua në vendin tonë”, u shpreh Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Nga “Lëvizja BESA” ndërkaq përgënjeshtrojnë deklaratën e Ahmetit, se kreyatri i tyre Bilall Kasami nuk ka votuar. Si dëshmi japin fotografitë dhe deklaratën e djeshme të Kasamit, dhënë pasi votoi.

Kreu i “Aleancës për Shqiptarët” Ziadin Sela nuk deshi që të përgjigjet përmes telefonit, por na tha se më vonë mund të flasë para kamerës për të treguar nëse ka votuar ose jo.

Nga Aleanca për Shqiptarët nuk ka votuar sekretari gjeneral Arben Taravari. Këtë na e konfirmoi ai vetë ndërsa thotë se me mosdaljen e tij ka dërguar porosi ndaj partnerëve të koalicionit që i kanë shkaktuar probleme në Komunën e Gostivarit, ku BDI-së e quan nismëtare të këtyre problemeve, ndërsa LSDM-në zbatuese.

“Arsyet janë parimore dhe principiele. Parimore është për arsye se në qoftë se unë dje do të votoja do të vinte sikur vuaj nga Sindromi i Stokholmit, do me thënë t’i përkrahësh ata që të përbuzin dhe malltretojnë. E kam dërguar një personale se diçka ndodh në Gostivar, që nuk është në rregull e që nuk ka ndodhur as në regjimin e Gruevskit”, tha Arben Taravari, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.

Megjithatë Taravari thotë se shumica e bashkëpunëtoreve të tij në komunë, dje kanë votuar, ndërsa sipas tij numrat tregojnë qartë se votat e Aleancës nga rrethi i parë, në rrethin e dytë shkuan në konton e Pendarovskit.

Mbrëmë gjatë deklaratës së tij kur shpallën fitoren, kryeministri, njëherazi dhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev falënderoi votuesit që në raundin e parë kishin votuar për kandidatin Blerim Reka, si dhe partitë “Besa” dhe “Alaenca për Shqiptarët” i lanë të lirë mbështetësit e tyre për të dale dhe votuar, e siç tha Zaev, të njejtën votuan për kandidatin Stevo Pendarovski.

Përgatiti: Besir Arifi