Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ndryshoi qëndrimin.
Ndonëse Resi ulema Sulejman Rexhepi më 23 prill tha se nuk do të thërret për dalje në votim në zgjedhjet presidenciale, institucioni të cilin ai e drejton doli me një apel përmes së cilit thërret qytetarët që më 5 maj, të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës.
“Të dielën, më 5 maj, besimtarët myslimanë duhet të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës për më shumë të drejta, për shtet ligjor dhe demokratik, për të drejta fetare dhe kombëtare për të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në NATO dhe në BE, rrugë të cilën si besimtarë dhe si BFI e kemi trasuar me vite, në vazhdimësi”, thonë nga Bashkësia Fetare Islame.
Vetëm para 10 ditëve kreu i BFI-së para mediave tha se askush mos të kërkojë nga ai që të del dhe të thërret për dalje në votim, pasi siç tha, një gjë të tillë nuk do ta bënte asnjëherë.
“Kanë kërkuar që unë të dal, t’i apeloj popullit se votoni këta, se këta janë xhenetli, shumë të mirë janë. Këtë punë mos ta kërkojnë prej meje kurniher. Po nuk ka mandat askush edhe jashta meje atë ta kërkoj. Ju garantoj me jetë”, u shpreh kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi.
TV21 kërkoi përgjigje nga BFI, se pse ka ndryshuar qëndrim, dhe pse tani apelon që qytetarët të dalin për të votuar. Zëdhënësi i BFI-së Agron Vojnika tha se BFI-asnjëherë nuk kanë thënë që qytetarët të mos të dalin në votime. Ai tha se apeli për të dalë në zgjedhje është bërë për të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve të vendit.
Përgatiti: Mevludin Imeri
