Stephanie Grisham do të jetë sekretare e shtypit për Shtëpinë e Bardhë. Këtë e konfirmoi zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, përmes një postimi në Twitter, ku shkroi se ajo është personi i duhur për t’i shërbyer administratës dhe vendit.
“Nuk mund të mendoj për një person më të mirë për t’i shërbyer administratës dhe vendit tonë”, shkroi ajo.
Stephanie Grisham do ta zëvendësojë Sarah Sanders, e cila deri më tani ushtronte këtë pozitë, por dha dorëheqje para disa ditësh.
Edhe presidenti Trump u shpreh mirënjohës që Grisham e pranoi punën mëngjesin e së martës.
“Stephanie ka qenë me mua që nga fillimi”, u tha ai reporterëve.
Zonja Grisham, u konsiderua si një kandidate kryesore për zëvendësimin e Sanders, sepse ka punuar për familjen Trump që nga viti 2015. Ajo do të shoqërojë presidentin e SHBA-së, Donald Trump në rolin e saj të ri në udhëtimin e tij në Japoni dhe Kore Jugore këtë javë, njoftoi CNN./21Media
