Kina ka nisur një hetim kundër kompanise “Fedex” të SHBA-së, me dyshimin për shkelje të të drejtave dhe interesave ligjore të klientëve kinezë. Sipas mediave botërore, gabimet logjistike mund t’i kushtojnë shtrenjtë “Fedex” nëse Kina vendos të ndalojë shërbimet e kësaj kompanie në territorin e saj. Agjencia kineze e lajmeve Xinhua raporton se kompania amerikane ka dështuar së fundmi të dorëzojë disa pako ekspresive në Kinë, dhe se një nga marrësit thuhet se ishte gjigandi i teknologjisë Huawei. Kompania kineze ka akuzuar “Fedex”, se postën e saj, e cila ishte paraparë të dërgohej nga Japonia në disa zyra në Kinë, e transferoi në SHBA. Përveç kësaj, “Huawei” raportoi se “Fedex” u përpoq të përcjellë dy pako të tjera në SHBA, të cilat u dërguan nga Vietnami në Hong Kong dhe Singapor.
Në disa analiza të medias, thuhet se kjo është hakmarrje e kinezëve për “Huawei”. Në mes të majit të kaluar, Qeveria amerikane vendosi “Huawei” në listën e zezë, dhe e kufizoi blerjen e pjesëve rezervë dhe shërbimeve në tregun amerikan pa lejen e Uashingtonit.
