Dështoi takimi i liderëve i thirrur për sot. Lideri i opozitares VMRO-DOMNE Hristijan Mickoski refuzoi të ulet në tryezë pa u siguruar se pikë e parë e diskutimit do të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dhe jo kodi zgjedhor, regjistrimi i popullsisë dhe fati i Prokurorisë Speciale.
Këtë refuzim të opozitës, kryeministri Zoran Zaev e quan të paargumentuar, andaj lajmëroi se qeveria javën e ardhshme do të dorëzojë në kuvend projektligj të ri për Prokurorinë Speciale.
Zaev beson se ky draft ligj do të sigurojë 2/3-tat e votave, ndërsa shton se me të do të ruhet puna e deritanishme e PPS-së.
“Prokuroria Publike Speciale si strukturë integrohet në Prokurorinë e deritanishme Themelore për përndjekje të Krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërsa merr emrin e ri “Prokuroria Publike për përndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të lartë”. Do t’i ketë garancitë për autonomi në veprimin që i përgjigjet pjesës më të madhe të pozitave të Prokurorisë së deritanishme Speciale dhe po ashtu janë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Do të drejtohet nga Prokurorja Villma Ruskoska e cila ka mandat dhe për momentin drejton Prokurorinë Themelore për Krim të organizuar, ndërsa të gjithë prokurorët që punojnë në PPS do të vazhdojnë në punojnë në prokurorinë e re për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Prokurorja Speciale Katica Janeva nuk është më, andaj sipas Zaevit tashmë opozitarja VMRO nuk ka arsye pse t’u ikë bisedimeve, në të kundërtën mund të dyshohet se kanë për qëllim të mbrojnë krimin e e dikujt, përfundoi Zaev. Propozimi i tij që Ruskoska të drejtojë prokurorinë e re, e ka befasuar edhe vetë prokuroren.
“Askush s’më ka konsultuar, edhe unë jam e befasuar. është herët për pyetjen nëse do ta pranoja, nuk dihet se çfarë Ligji do të sillet në Kuvend”, tha Villma Ruskoska, kryeprokurore për Përndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Propozimi që Ruskoska ta drejtojë Specialen e Re, nga VMRO-DPMNE e quajnë dëshirë të Zaevit por që mbetet për t’u parë nëse është e pranueshme.
Sapo ta kemi marrë propozim-ligjin, do ta dorëzojmë për rishikim në trupat partiake, asaj për drejtësi dhe grupit që negocionte. Deri sa të gjenden mangësitë, përparësitë, anët pozitive dhe negative, ne do të mbetemi të fokusuar në përpilimin e projektligjit tonë. Në lidhje me emrin e Villma Ruskoskës, i dëgjuam të gjitha dëshirat e Zoran Zaevit. Ai mund të ketë shumë dëshira, por se a është apo jo e pranueshme, këtë do ta shohim”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Për Bashkimin Demokratik për Integrim, propozimi i Zaevit është bazë e mirë dhe drejtimi i duhur për një zgjidhje të përhershme për institucionalizimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Dy partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa për TV21 thonë se propozim ligjin e ri do ta rishikojnë në organet e partive e më pas do të dalin me qëndrim për të njëjtin. Sa i përket “bombave”, përveç atyre që janë dorëzuar në gjykatë, të gjitha të tjerat do të shkatërrohen sipas procedurave të parapara. Propozim ligji i ri parasheh që të gjitha lëndët e PPS-së që gjenden në gjykata do të vazhdojë t’i përfaqësojë prokuroria e re. Planin financiar do ta bëjë Kryeprokurori i Speciales së re, ndërsa të njëjtin Kuvendi dhe Qeveria nuk do të mund ta ndryshojnë.
Përgatiti: Besir Arifi
