Neni 105 i projektligjit për prokurorinë publike tashmë një kohë është bërë molla e sherrit mes pushtetit dhe opozitares VMRO-DPMNE.
Përmes tij rregullohet puna e Prokurorisë Speciale të cilës më 15 shtator i skadon mandati. Pushteti dhe VMRO-DPMNE kanë qëndrime të ndryshme për funksionimin e mëtejshëm të Speciales.
Kryeministri Zoran Zaev tregoi për ngërçin e tejkaluar e që është vendosja e PPS-ja në sistemin prokurorial, por vazhdojnë dallimet për fatin e lëndëve gjyqësore.
“Ne mendojmë se unë dhe Micskoski nuk duhet të përzihemi për këtë punë, se cila është e ardhmja e lëndëve gjyqësore. Ne mendojmë se sistemi i drejtësisë, prokuroria, duhet ta sjellë këtë vendim. Ata mendojnë se ne duhet këto lëndë t’i shkatërrojmë. Si kështu?! Kështu vallë do ta kthejmë shtetin e së drejtës? Ndoshta nga 100% e lëndëve do të kenë të ardhme dhe do të vazhdojnë, por ndoshta 100% do të shkatërrohen”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Brenda pallatit të bardhë të partisë opozitare tashmë ka filluar përpilimi i një projektligj të ri që do t’i propozohet pushtetit. Detaje nuk dalin, por dallimet pushtet-opozitë për nenin 105 mund të vërehen nga krahasimi i projektligjit, i propozuar nga qeveria dhe amendamentet e opozitës të dorëzuara 3 muaj më parë
Kështu qeveria propozon që:
“Lëndët me veprat penale që lidhet ose dalin nga “bombat” dhe për të cilat është ngritur akuzë deri më 30 qershor 2017, si dhe lëndët që ndodhen në fazë gjykimi, vazhdon t’i përfaqësojë Prokuroria Publike Speciale”.
Ndërkaq nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se:
“Lëndët e PPS-së për të cilat është ngritur akuzë para 30 qershorit 2017 si dhe lëndët që janë në proces gjykimi, kalojnë në kompetenca të Departamentit të Prokurorisë Speciale nga dita e zgjedhjes së prokurorëve publik.
Sa i përket përdorimit të “bombave”, në tekstin e propozuar nga Qeveria nënvizohet:
“Bombat” Prokuroria Speciale mund t’i përpunojë më së voni deri më 15 shtator 2020 ndërsa të njëjtat mund të përdoren si dëshmi vetëm në lëndët për të cilat është ngritur padi deri më 30 qershor 2017. “Bombat” që nuk janë dhënë si dëshmi në gjykatë do të ruhen në PPS një vit pas përfundimit të procedurave për vepra penale që lidhen me “bombat”.
Ndryshe mendojnë opozitarët. Në propozim amendamentet e fundit të dorëzuara tek Deskoska kërkojnë që:
“Bombat” që nuk janë dorëzuar si dëshmi në gjykatë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të shkatërrohen në përputhje me ligjin.
Madje në sqarimet e tyre të para tre muajve për nenin 105, nga VMRO-DPMNE ngrenë pyetjen se çfarë nëse procedurat nuk përfundojnë deri në 2020-tën, siç shkruhet në propozimligjin e qeverisë. Për VMRO-DPMNE-në “çështja se çfarë mund të jetë dëshmi ligjore ose joligjore, procedura për përdorimin e dëshmive, përdorimi i tyre, rregullohet në Ligjin për Procedurë Penale”.
Përgatiti: Besir Arifi
