VMRO-DPMNE është e gatshme për takim liderësh, por vetëm nëse bisedohet për një temë të vetme edhe atë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE shprehet se edhe pse as sot nuk ka ftesë për takim liderësh, si parti ata shprehin vullnet politik për takim, me qëllim që sa më shpejt të organizohen zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Nga VMRO-DPMNE theksojmë se është e nevojshme pjekuri politike nga ana e kryeministrit Zaev dhe anëtarët e pushtetit, për t’u ulur në një tavolinë dhe të bisedohet që sa më shpejt të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse burimi i të gjitha problemeve është Zoran Zaev dhe si burim i problemeve nuk mund të jetë edhe pjesë e zgjidhjes”, tha Naum Stoillkovski.
Nga LSDM thonë se janë të gatshëm që të ulen të bisedojnë me të gjitha subjektet politike në vend për të gjitha temat që janë në interes të vendit. Nga partia e Zaevit thonë se nuk ka ende ndonjë marrëveshje për takimin ose për temat që mund të bisedohen por i bëjnë thirrje që VMRO të mos pengojë dhe të ndihmojë në proceset që janë në interes të shtetit edhe integrimeve euroatlantike.
“Ne si parti asnjëherë nuk ikim nga dialogu për çështje që janë në interes të shtetit dhe qytetarëve me të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe VMRO-DPMNE. Ende nuk ka marrëveshje konkrete për takim eventual ose edhe për temat që do të mund të diskutohen, megjithatë i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së që të mos i pengojë proceset që janë në interes të shtetit”, deklaroi Kostadin Acevski.
Temë diskutimi në takimin e liderëve, sipas kryeministrit Zaev mund të jetë Ligji për regjistrimin e popullsisë, Ligji për Prokurorinë Publike dhe ndryshimet në Kodin zgjedhor. Nga ana tjetër opozita maqedonase kundërshton propozim/ligjin për regjistrimin e popullsisë, sepse siç thonë, është jashtë standardeve të EUROSTAT-it, ndërsa grupet e punës mes partive tanimë disa muaj nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për Ligjin për Prokurorinë Publike dhe fatin e Prokurorisë Speciale.
Përgatiti: Valmira Zendeli
