Kosova dhe Shqipëria unifikojnë diplomacinë, reagon Bërnabiq

TË FUNDIT

Shqipëria dhe Kosova, më 2 korrik kanë nënshkruar marrëveshjen ndërministrore për bashkim të përfaqësive diplomatike e konsullore dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme. Lidhur me këtë ka reaguar ashpër kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila e cilësoi këtë marrëveshje të tmerrshme.

Ajo i tha televizionit Pink, se është skandaloze që deri më tani, nuk ka asnjë reagim nga Shtetet e Bashkuara, dhe se nënshkrimi i kësaj marrëveshje me qëllim është bërë në kohën kur po zgjedheshin udhëheqësit e rinj të BE-së, pasi në këtë mënyrë nuk do të kishte reagim nga Brukseli, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Marrëveshja është firmosur nga Ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, Behgjet Pacolli dhe Gent Cakaj.

Pacolli është shprehur i lumtur për këtë marrëveshje dhe është zotuar se Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtar.

Në anën tjetrër, Cakaj ka sqaruar se kjo marrëveshje është bazuar në katër shtylla kryesore, nga pikëpamja politike, diplomatike, profesionale dhe kulturore.