“Rruga e cila e lidhë Tetovën me Kodrën e diellit fillon deri në fund të këtij muaji dhe pritet të përfundojë diku në shtator, ose tetor, tash varet edhe prej kushteve të punës. Por unë jap edhe një premtim tjetër, se rruga deri në parafillimin e sezonit dimëror do të jetë e kryer dhe gjithashtu gjashtëulësja do të jetë në funksion”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi paralajmërimin për ndërtimin e rrugës Tetovë – Kodra e Diellit e bëri për herë të parë në Click Plus më 28 maj të këtij viti.
TV21 sot ishte atje, ndërsa për momentin janë vizatuar vetëm disa vija të kuqe dhe janë vendosur disa pllaka betoni për të mbrojtur shembjen e dheut.
Bekteshi sot tha se përgatitjet kanë përfunduar dhe se së shpejti do të nisë ndërtimi i rrugës. Ai tha se në fund të kësaj jave do të shkojë ne vendngjarje për të inspektuar punimet.
“Parapërgatitjet bëhen. Para fillimit apo rikonstruimit të rrugës. Gjatë kësaj jave, apo në fund të kësaj jave, unë do të vizitoj kodrën e diellit, ku së bashku me drejtorin e Elem Turs do të ndjekim punimet sa i përket ski liftit të ri apo gjashtë ulëses, por njëkohësisht do t’i ndjekim edhe punimet apo parapërgatitjet për rikonstruimin e rrugës, Tetovë- Kodra e Diellit”, theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi gjithashtu tha se për rikonstruimin e një pjese të rrugës obligohet Komuna e Tetovës, e cila ka aplikuar në kuadër të Bankës botërore për marrjen e grantit për zhvillim të Kodrës së Diellit. Ai u shpreh i bindur Komuna e Tetovës do ta fitojë se këtë grant.
Përgatiti: Mevludin Imeri
