Mesfushori kroat, Mateo Kovaçiq, ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Blutë. Kovaçiq nga sot është lojtar i Chelseat.
Blutë kanë vendosur të aplikojnë të drejtën e blerjes që kishin për mesfushorin kroat i cili sezonin e kaluar luajti si i huazuar te Chelsea nga Real Madridi.
Nga kjo shitje Reali përfiton 45 milionë euro, ndërsa Kovaçiq do të jetë blerja e vetme e Chelseat, pasi Blutë janë të dënuar nga FIFA dhe nuk kryejnë transferime të tjera deri verën e ardhshme.
Kovaçiq u shpreh shumë i lumtur që është përfundimisht pjesë e Chelseat, ndërsa nënshkroi për pesë vjet deri në vitin 2024 me skuadrën që shumë shpejtë pritet të drejtohet nga Frank Lampard.
“E shijova sezonin tim si i huazuar tek Chelsea, dhe ndihem shumë rehat tek ky klub, si edhe në Londër. Jam i lumtur që erdha përfundimisht këtu. Patëm një vit të suksesshëm, duke fituar Ligën e Evropës, ndërsa shpresoj që të jap një kontribut të madh edhe në sezonet në vijim”, tha mesfushori kroat.
