Nina Angellovska, është emri që do të zëvendësojë Dragan Tevdovskin në postin e ministrit të Financave. kjo u vendos nga kryeministri, Zoran Zaev menjëherë pas mbledhjes së Këshillit Qendror të LSDM-së. Nina Angellovska, merret me teknologjitë e reja dhe tregtinë digjitale. Ajo është themeluese “Gruper”, një nga kompanitë online më të suksesshme të Maqedonisë. Në postin e ministres së Financave hyn si kuadër jopartiak dhe është ministrja e dytë e financave në moshë të re. Deklaroi se është e gatshme të investojë në politika fiskale progresive që do të krijojnë ekonomi të fortë për qytetarët dhe do të mbajnë të rinjtë në vend.
“Jam e gatshme të investoj në politika fiskale progresive që do të krijojnë një ekonomi të fortë për qytetarët dhe do të mbajnë të rinjtë në vend. Kjo është koha e teknologjive, aftësive, zhvillimit të sipërmarrjes moderne dhe modeleve të reja të biznesit, komunikimeve digjitale dhe prodhimit. Këtu e shoh zhvillimin e vendit. Përfundimisht, do të bëj çmos për promovimin e transparencës fiskale dhe menaxhimin e mirë të parave të qytetarëve”, u shpreh Nina Angellovska.
Përveç vendimit për Angellovskën, janë caktuar edhe zëvendësministrat e rinj të arsimit, Elizabeta Naumovska. Gjithashtu edhe ai i Ekonomisë Kire Kolemishevski. Ai në ketë vend vjen nga pozita si ushtrues detyre drejtor i Bankës së Maqedonisë për promovim dhe zhvillim ku në ketë funksion ishte 5 muajt e fundit. Ndërsa në Ministrinë për Sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve, zv/ministër do të jetë Nexhat Memedoviq, i cili vjen nga komuniteti boshnjak. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik si dhe ka qenë asistent-hulumtues në Institutin për histori nacionale në Shkup.
Përpos këtyre ndryshimeve, në mbledhjen e mbrëmshme u zgjodhën edhe nënkryetarët e LSDM-së, Kosta Petrov, Oliver Spasovski, Muhamed Zekiri, Milla Carovska dhe Damjan Mançevski.
Emërimet në këtë parti i komentoi analisti Albert Musliu, i cili thotë se është hera e parë që në këtë ministri vjen një person nga sektori i ekonomisë reale.
“Ministrat duhet të jenë menaxherë të mirë dhe nuk koncentrohet puna e ministrisë vetëm te ministri, por ai nëse din t’i totalizojë dhe t’i fusë në funksion të gjitha resurset edhe njerëzore edhe financiare të cilët i kanë në ministri, mund të jetë pozitive. Ajo është shpatë demokratike për kryeministrin. Nëse del pozitive do të jetë një përfitim politik, e nëse del një eksperiencë negative do të jetë e dëmshme. Por gjithsesi për atë vizonin afatgjatë se të rinjtë në RMV-së kanë shanse dhe duhet të kenë, është pozitive”, deklaroi Albert Musliu, analist.
Ndryshimet në LSDM, i komentoi edhe VMRO-DPMNE ku tha se Zoran Zaev, po aktron se po e reformon partinë. Zaevi është i dëshpëruar. I futur në krime dhe korrupsion. Kërkon ndihmë dhe mbështetje që ta largojë vëmendjen nga vetja, thonë nga VMRO-DPMNE. Kryeministri Zoran Zaev, pritet që sot të paraqesë propozime në Parlament për postet e lira të kabinetit qeveritar. Ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca plenare për të zgjedhur ministrat dhe zëvendësministrat e rinj. Por pohimet e partisë opozitare i kanë hedhur poshtë nga LSDM duke thënë se vazhdojnë me ndryshimet dhe me përforcimin e kapaciteteve që janë në interes të qytetarëve, duke shtuar se në këtë mënyrë hapet mundësia për të rinjtë.
Përgatiti: Zimer Jashari
