“Skandali “Reket” ishte tema e parë për të cilën u fol në kryesinë e sontme të Lidhjes Socialdemokrate.
Raste të tilla ekzistojnë edhe në vende të tjera tha kreu i partisë dhe kryeministri i vendit Zoran Zaev, e sipas tij çështja tani është se si pushteti gjyqësor dhe ekzekutiv të menaxhojë me to.
Duke komentuar përgjimet e skandalit “Reket” Zaev mohon që Boki 13 dhe Orce Kamçev ta kenë menaxhuar apo dirigjuar atë për t’ia dalë mbanë në planin për ta shpëtuar Kamçevin nga Specialja.
“Nuk ka menaxhim, asnjëherë s’kam folur për këtë temë me zotin Bojan Jovanovski. E hedh poshtë plotësisht dhe se në çfarëdolloj mënyre të ekzistojnë bisedime me Bojan Jovanovskin në temën Orce Kamçev, Katica Janeva apo çfarëdoqoftë teme që tani ka indicie për vepra joligjore”,deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë se Veriut.
Kryeministri po ashtu përgënjeshtroi edhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq I cili para dy javësh tha se e ka paralajmëruar Zaevin për skandalin Reket.
“Siç kam marrë vesh nga rrethe të mirëinformuara italiane do të ketë ende befasi. Kjo është. Unë mendoj se Zoran Zaev sot më kupton se kisha të drejtë kur i flisja për një person. Ia thash dhe jam i lumtur që ai person është larg meje dhe Serbisë”, u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Folëm për shumë tema rajonale por nuk nuk folëm për atë temë”.
Pra ka gënjyer?
“Nuk folëm për atë temë”.
-Ai thotë se tashmë keni folur dhe se ju ka paralajmëruar për këtë gjë?
-“Do ta pyesni atë se ku më ka paralajmëruar. Takimi i fundit, siç e parashtruat pyetjen, nuk është folur për atë temë”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Zaev poashtu shtoi se duhet të reagohet shpejt dhe të vendoset ushtrues detyre në vend të Katica Janevës dhe sa më shpejt të gjendet kompromis për ligjin e ri për Prokurorinë sepse më 15 shtator Janevës i skadon mandati.
Në kryesinë qëndrore të LSDM-së sonte po ashtu u zgjodhën pesë nënkryetarët e partisë, Oliver Spasovski, Milla Carovska, Damjan Mançevski, Muhamed Zekiri si dhe Kosta Petrov si prurje e re tek socialdemokratët.
Nga posti i nënkryetarëve u larguan kryebashkiaku i Shkupit Shilegov dhe nënkryetarja e parlamentit Frosina Remenski e cila u iku kamerave ndërsa nga larg vetëm shkurt komentoi se është e kënaqur me vendimet e sjella.
Gjithashtu u bënë të ditur edhe emrat e rinj që do të propozohen për poste në ekzekutiv. Nina Angellovska propozohet për ministre Financave, Elizabeta Naumovska për zëvendëministre arsimi, Kire Kolemishevski për zëvendësministër të Ekonomisë ndërsa Nexhat Mehmedoviq propozohet për zëvendësministër për sisteme politike dhe marrëdhënie mes bashkësive.
Përgatiti: Besir Arifi
