12 deputetët duan 1 ose 3 njësi zgjedhore, e jo 6

TË FUNDIT

12 deputetë të kuvendit kanë marrë një iniciativë deri te kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, për angazhim për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, përkatësisht që vendi të ketë modelin e një njësie zgjedhore. Sipas tyre rreth 30-40 mijë vota në çdo proces zgjedhor bien poshtë për shkak se personat në listën zgjedhore nuk arrijnë të marrin numrin e nevojshëm të votave në njësinë përkatëse zgjedhore. Lëvizja Besa si dhe Aleanca për Shqiptarët, përkrahin këtë nismë dhe kërkojnë që vendi të ketë 3 njësi zgjedhore.

“Sistemi zgjedhor duhet të ketë ndryshime, sistemi proporcional i votimit duhet të mbetet por duhet të ndryshojë në drejtim të asaj, duhet të kemi lista të hapura të njësive zgjedhore. Lëvizja Besa, përkrah dhe se Maqedonia, të ndahet në tri njësi zgjedhore, nga gjashtë që kemi”, deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

“Risi e këtij propozimi është se jo të gjithë njësitë zgjedhore do të prodhonin numër të barabartë deputetësh, por do të kishin aq deputetë aq sa kanë votues. Këtë e bëjmë për ta eliminuar dukurinë dhe fenomenin e koncentrimit të deputetëve në disa qendra për përfaqësim rajonal dhe politik”, tha Syrja Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.

Deputetët bazohen edhe pas vërejtjeve të OBSE/ODIHR-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare. Andaj ata sot në formë të shkruar kanë kërkuar takim me kryeparlamentarin Talat Xhaferin si dhe me kryetarët e tre partive, LSDM-së, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, që e udhëheqin këtë proces.

“Vlerësojmë se në këtë mënyrë do të sigurohet transparencë më e madhe dhe përfshirje e gjithë procesit, si dhe respektim i vullnetit të qytetarëve që presin demokraci në vend përmes ndryshimit të modelit zgjedhor. Pothuajse dy dekada, nga viti 2002, deri më tani, në Maqedoni në fuqi është modeli proporcional zgjedhor me gjashtë njësi zgjedhore”, theksoi Liljana Popovska.

Sipas tyre, dobësia më e madhe e këtij modeli është kufizimi i listave të partive apo individëve që të sigurojnë mandat nëse nuk kanë koncentrim të votave në një njësi zgjedhore. Kështu që, siç thonë ata, ndodhte që të bien poshtë listat zgjedhore, ndërsa në Parlament mund të hyjnë, me përjashtime të vogla, vetëm disa parti më të mëdha.