Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun nga Shkupi Petre Shilegov, me të cilët diskutuan rreth nismave të përbashkta në fushën e investimeve, transportit, financave, arsimit, kulturës dhe shkëmbimit të eksperiencave. Veliaj tha se dy kryeqytetet kanë më shumë gjëra që i bashkojnë sesa i ndajnë.
“Mund ta themi me gojën plot që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Ne kemi një raport special mes dy qeverive dhe ka ardhur koha që edhe në nivelin e qeverisë lokale të pasqyrojmë të njëjtin bashkëpunim.” theksoi Erion Veliaj.
Ndërsa kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, vlerësoi Tiranën për organizimin e Forumit “17+1” dhe shtoi se falë punës për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre, Tirana dhe Shkupi po bëhen kryeqytete si ato të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Besoj fuqishëm se pak nga pak, po kontribuojmë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Po shohim se Tirana dhe Shkupi po bëhen kryeqytete si ato të vendeve që janë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian.” theksoi Petre Shilegov kryetari i qytetit të Shkupit
