Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriht Talat Xhaferi merr pjesë në Samitin e Paqes të Evropës Juglindore e cila organizohet nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, raporton TV21.
Xhaferi në Samitin e Paqes të Evropës Juglindore tha se Maqrdonisë së Veriut dhe Shqipërisë u është bërë padrejtësi nga BE-ja por nuk duhet humbur shpresa.
Xhaferi shtoi se Maqedonia e Veriut deri në fund të vitit pret që të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.
“Siç e dini, Republika e Maqedonisë së Veriut punoi dhe vazhdon të punojë shumë në fushën e avancimit dhe përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore sepse besojmë se vetëm qasja e sinqertë ndaj mosmarrëveshjeve dhe ndaj çështjeve të hapura dhe mbajtja e dialogut politik deri në shterjen e të gjitha mundësive, mund të sjellë deri te kompromisi i pranueshëm për palët. Si rezultat i këtij angazhimi altruist ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve, gjegjësisht Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë dhe Marrëveshjes me Republikën e Greqisë me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar i cili na pengonte në arritjen e qëllimeve tona strategjike, respektivisht integrimit në NATO dhe në BE. Tani ky proces është debllokuar dhe presim që deri në fund të vitit të bëhemi anëtari i plotfuqishëm i 30-të i NATO-s ndërsa në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e di që jeni të njoftuar për arsye se edhe Republika e Shqipërisë e jeton fatin e njëjtë si edhe ne”, u shpre kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Gjatë fjalës së tij Xhaferi theksoi se gjatë qendrimit në Strasburg ka biseduar me shumë eurodeputet dhe kryetarin e Parlamentit Evropian të cilët vazhdojnë të mbështesin rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.
“Vij këtu prej Strasburgu, ku isha pjesëmarrës në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku krahas fjalimit që mbajta në Konferencë, kisha edhe takim me kryetarin e Parlamentit Evropian dhe me eurodeputetë tjerë. Gjatë gjithë bisedave që zhvilloheshin në një atmosferë të sinqertë dhe miqësore, u tha ajo që përsëritet vazhdimisht nga të gjithë se mbështetja për eurouintegrimin tonë vazhdon edhe më tutje, pranojnë se na është bërë padrejtësi por se nuk guxojmë të humbim shpresë dhe se duhet të ndjekim rrugën e njëjtë të përmbushjes së kritereve, gjegjësisht bërjes së reformave”, tha Xhaferi në Samitin e Paqes të Evropës Juglindore që mbahet në Tiranë.
