Reagon Albin Kurti, kërkon hetim të pavarur për rastin e Astrit Deharit

TË FUNDIT

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka reaguar pas raportit të eskpertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit. Kurti përmes një postimi në facebook ka theksuar se nevojitet hetim i ri për të ndriçuar rastin.

“Ekspertët e mjekësisë ligjore nga Instituti i Lozanës në Zvicër e kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit. Raporti i tyre është shkencor dhe i hollësishëm për nga metoda dhe të gjeturat. Ata kanë konstatuar përfshirjen e personi/ave të tretë. Nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim. Jo vetëm mbi faktet e provat materiale. Sepse, duhen hetuar e shqyrtuar rrethanat fizike dhe të tjera të krimit, si dhe procesi i deritanishëm hetues. Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë.”, ka shkruar Kurti.

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka shtuar se drejtësia për Astritin nuk ka alternativë.

“Krimit mbi Astritin në duar të shtetit para tri vjetëve i është shtuar padrejtësia e shtetit tash e tri vjet. Drejtësia për Astritin nuk ka alternativë. Është në pyetje asgjë më pak se e drejta për jetë e qytetarit të Republikës.”, ka shkruar më tutje Kurti.

Prokuroria Themelore në Prizren dje ka njoftuar opinionin publik se më datë 23.10.2019 ka pranuar të përkthyer në gjuhën shqipe raportin 58 faqësh të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit.

Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi ka deklaruar se tani është detyrë e prokurorisë dhe e shtetit të Kosovës që të gjejë vrasësin e Astrit Deharit. Ai ka deklaruar se pas pranimit të dy raporteve të përpiluara në gjuhën frënge shqipe nga Instituti Zviceran, lidhur me vdekjen e Astrit Deharit vërtetohet ajo që është ditur që nga dita e parë e vrasjes së Astrtit Deharit, se ai ishte vrarë në rrethana të pasqaruara deri tani në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Lëvizja Vetëvendosje dje ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media. Albulena Haxhiu nga ky subjekt politik ka bërë thirrje që Prokuroria e Prizrenit të mos merret me rastin e Astrit  Deharit, pasi që sipas saj njëjta prokurori nuk mundet të sigurojë besueshmëri.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku ishte duke u mbajtur si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje. Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran./21Media