Sërish nuk do të numërohemi, zgjedhjet e kanë shtyrë procesin e planifikuar

TË FUNDIT

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e kanë shtyrë regjistrimin e paralajmëruar. Kryeministri Zoran Zaev, konsideron se duhet të zbatohet vitin e ardhshëm pas zgjedhjeve, por nëse ka mundësi edhe para mbajtjes së tyre.

“Qëndrimi im është se regjistrimi duhet të zbatohet në vitin 2020. Mund ta bëjmë edhe pas zgjedhjeve, por nëse Enti Shtetëror për Statistikë është i gatshëm, atëherë mundet edhe para zgjedhjeve”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Lideri i VMRO-DPMNE-së konsideron se regjistrim duhet të ketë në vitin 2021.

“Ne si parti kërkojmë që regjistrimi të jetë operacion statistikor, e jo marrëveshje politike dhe nuk është në rregull që ai të bëhet në fund të dekadës. Nuk shoh asnjë arsyetim logjik që vitin e ardhshëm të kemi regjistrim. Mendoj se këtë duhet bërë në fillim të dekadës së ardhshme, respektivisht në vitin 2021, siç e bëjnë të gjitha vendet evropiane”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Lideri i partnerit më të madh të koalicionit të LSDM-së, Ali Ahmeti, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, pa pasur regjistrim, deklaroi se duhet të shihet se si do të menaxhohet e gjithë kjo dhe të analizohet kur do të ketë kushte teknike për zbatimin e tij.

“Tani është me rëndësi që të respektohet data për zgjedhjet, kurse më pas të flasim për regjistrim”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Zijadin Sela, nuk sheh asnjë pengesë që të zbatohet regjistrim, sepse siç thotë, ai paraqet proces teknik, duke shtuar se regjistruesit duhet të jenë sa më pak të politizuar.

“Nuk ka asnjë pengesë që regjistrimi të mbahet edhe gjatë fushatës, edhe pas zgjedhjeve”, u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Data që ishte përcaktuar për regjistrimin e popullsisë, nuk do të vlejë më, sepse është e pamundur që të zbatohet gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, thonë nga Enti Shtetëror për Statistikë.

“Edhe ne u befasuam nga situata e re, edhe pse ishim të gatshëm që ta fillojmë regjistrimin e popullsisë në pranverë në vitin 2020. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve, duhet ta prolongojmë. Më mirë do të jetë që regjistrimi të mbahet në vjeshtë apo në pranverë. Gjatë periudhës së verës shumica e qytetarëve janë në pushime verore, ndërsa gjatë dimrit, disa pjesë të vendit tonë janë të pa qasshme”, potencoi Apostoll Simovski, drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Nga 10 deri më 30 qershor, në 13 komuna u zbatua regjistrimi provë i popullsisë, amvisërive dhe banesave. Atëherë nga Enti për Statistikë thanë se nuk interesohen për shifrat, por për teknikën e grumbullimit të të dhënave – sa janë të qarta pyetjet dhe sa kohë u nevojitet regjistruesve për ta zbatuar tërë operacionin.