Ka pacientë që presin 42 vjet për transplant veshke në vendin tonë. Mirëpo Kirili ka pasur fat. Një vjet ka qenë në dializë dhe më pas ka gjetur veshkë. Ai tashmë 4 vjet jeton me veshkë të transplantuar, e cila u sigurua nga donator kufomë. E këtë veshkë kishin vendosur të ja dhurojnë prindërit e djaloshit që kishte ndërruar jetë, për të shpëtuar një jetë tjetër. Ky është transpalnti i parë pas 3 vjetësh me të cilën u shpëtuan dy jetë.
“Në gjithë këtë proces më të rëndësishëm janë prindërit e djaloshit të ndjerë, që u pajtuan që t’i dhurojnë dy veshkat e tija, me qëllim që dy persona me dializë të kenë jetë normale dhe cilësore. E tani si ndjeheni? Shkëlqyeshëm sikurse para 5 vjetësh, kur nuk kisha asnjë problem”, tha Kiril Jançovski – pacient.
Nga shoqata për sëmundje të veshkëve thonë se numri i pacientëve që dhurojnë është shumë i pakënaqshëm, e këtë e vuajnë pacientët që me dekada presin për transplant. Vetëdija për të dhuruar organe në vendin tonë, është shumë e ulët, thotë Dushko nga kjo shoqatë.
“Duhet të shkojë në histori pritja me dekada, e mes nesh ka pacientë që pret për transplant 42 vjet. Ne me të vërtetë hulumtuam se a është për Genis, për librin e rekordeve kjo çështje, ai pret 42 vjet por për fat të keq nuk është i pari, sepse ka një pacient që pret 44-45 vjet në dializë. A ka dashur të transplantohet ose jo, nuk e di por aq presin”, deklaroi Dushko Gjorgjiev nga shoqata “Nefron”.
Ndonëse në vendin tonë nuk ka regjistër kombëtar për pacientë të transplantuar, diku 150 persona që janë në dializë po presin për transplantim. Sa i takon regjistrit, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se do të jetë gati deri muajin e ardhshëm. E në ditën evropiane të donimit të organeve, ministri premtoi terapi më cilësore dhe kushte më të mira, si dhe tha se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Eurotransplant. Kjo do të thotë se organet që nuk korrespondojnë me pacientët që presin transplant, mund t’i shfrytëzojë një shtet tjetër.
“Me këto lista nacionale që janë kah fundi, në muajin nëntor planifikojmë takim me përfaqësuesit e Eurotransplant, nga Lubjana dhe Zagrebi, me të cilët duam të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi, me çka në një farë forme do të bëhemi si pjesë e antarëve të Eurotransplant”, deklaroi ministri Venko Filipçe.
Deri tani në vendin tonë janë realizuar 414 transplante të veshkave, prej të cilave 45 nga persona të ndjerë. Për këtë vit janë bërë 13 dhe pritet që ky numër të shkojë deri në 20 deri në fund të vitit, njofton Sasho Dohçev, drejtor i Urologjisë. Ministria për këtë vit ka ndarë gjashtë milion denarë për realizimin e programit të transplantimit. Përveç kësaj, po përgatisin një program të veçantë për të mbuluar koston e pacientëve me dializë, i cili arrin në shtatë milion denarë, njoftoi Venko Filipçe.
