Rrugë dhe rrugica të ngushta, me gropa dhe shumica prej tyre pa kanalizim. Në këtë gjendje janë rrugët dhe rrugicat në lagjen e Dizhonit. Banorët e kësaj lagje para kamerës së Tv21 thonë se premtimet kanë mbetur vetëm fjalë dhe se në këtë anë nuk ka punuar askush asgjë. Banorët shtojnë se rrugët e Dizhonit u ngjanë rrugëve të shekullit XVIII.
“Kam dërguar kërkesë në komunën e Çairit, dy kërkesa i kam dërguar dhe nuk janë realizuar asnjëra deri më tani. Unë ata kërkesa i kam dhënë tashmë katër vite dhe nuk interesohet askush nga komuna të na vizitojnë se në çfarë gjendje jemi ne tu e dhanë gjithë privat duke pastruar kanalizimin. Duam të na i ndërrojnë gypat e kanalizimit dhe ujit, sepse janë të ndryshkur, nuk janë për askund. Ne pimë ujë të pa kulluar, të ndotur. Neve kanalizimi na del jashtë dhe askush nuk interesohet për të dalur e kontrolluar këtë kanalizim të kësaj rrugice të shkurtë 50 metra, atëherë, komuna i ka fajet. Ne, populli nuk i kemi fajet”, tha një banor i Dizhonit.
“Rrugët i kemi si në shekullin XVIII-të apo XIX, do rrugica janë në gjendje bash katastrofale. Çka t’ju them tjetër. Mundet të përmirësohen, punohet, paratë harxhohen, investohet por i shihni vet mund t’i inçzioni se në çfarë gjendje janë rrugët. Shaktët janë poshtë, gropa midis rrugës, rrugë të ngushta, infrastruktura katastrofale”, theksoi një tjetër banor.
“Rruga është për askund. Nga atje si fillon kanali, nëpër shtëpi, gjithandej. Falë zotit këtë vit nuk ka ra shi, sepse viteve të kaluara ka qenë shumë keq. Për ngushtë të mos flasim, prej këtu e tutje, kemi problem edhe me xhenazet kur i largojmë edhe me gjëra të tjera, shumë të ngushta. Asgjë, as nuk e di nëse dikush flet, asgjë ashtu edhe siç po e shihni vet ju”, u shpreh një tjetër banor.
Përderisa ekipi jon po qëndronte në Dizhon për të mësuar hallet e qytetarëve, pamë një ekip i cili po punonte në një rrugicë. Punonjësit nuk pranuan të flasin para kamerës por thanë se janë të angazhuar nga komuna.
Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla thotë se përgjegjës për rrjetin e ujit dhe kanalizimit është ndërmarrja publike “Ujësjellës dhe kanalizime”.
“Me insistimin e Komunës së Çairit, ekipet e kësaj ndërmarrje kanë dalë në teren që të bëjnë, rregullimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në rrugën, Dizhonska numër shtatë. Pas përfundimit të këtyre punimeve, për këtë lloj të infrastrukturës Komuna e Çairit do të realizoj obligimin e sajë për asfaltimin e tërësishëm të kësaj rruge. Do të vazhdohet edhe me rregullimin e infrastrukturës nëntokësore në rrugët tjera, do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ndërmarrjen publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime” për të realizuar përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore dhe pas përfundimit të këtyre punimeve, normalisht do të vijojë edhe procesi i asfaltimit në tërësi”, deklaroi Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës së Çairit.
Kurse të njëjtat probleme dhe ankesa banorët e Dizhonit i kanë dhënë edhe dy muaj më herët, kur Tv21 pati raportuar për gjendjen e rrugëve në Dizhon.
