Vjosa Osmani: Alternativa e vetme koalicioni LDK- VV

TË FUNDIT

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja , Vjosa Osmani tha sot se alternativa e vetme për qeverisje është koalicioni LDK- VV.

Ajo po ashtu u shpreh se do të jap kontributin e saj pa marrë parasysh se  ku do të jetë, duke lënë të nënkuptohet se ajo mund të heq dorë nga posti i kryeministres.

“Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës. Unë do të punoj për vendin tim pavarësisht se ku jam. Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

LDK ka dalur e dyta me 24,83% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur me 6 tetor. Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet me 25,49% sipas rezultateve preliminare.

Të dy partitë janë shprehur të gatshme për të bashkëpunuar në qeverisjen e ardhshme mirëpo ende nuk është marrë një vendim i tillë.

Liderët e dy partive Albin Kurti- VV dhe Isa Mustafa- LDK, kanë paralajmëruar një takim gjatë këtyre ditëve për të biseduar rreth një koalicioni të mundshëm.

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë provuar të formonin edhe koalicion parazgjedhor, mirëpo një gjë e tillë nuk është bërë për shkak se nuk ishin dakotduar për postin e kryeministrit.

Dy partitë kanë vendosur të garojnë të vetme, ndërkohë Osmani në “DebatPernime” në RTV 21, gjatë fushatës zgjedhore është shprehur pro një koalicioni pas- zgjedhor me VV-në duke thënë se posti i kryeministrit do t’i takonte partisë e cila do të dilte e para në zgjedhje./21Media