Nëpunësit policorë në protestë, ultimatum 15 ditë, kërkojnë 25% rritje të rrogave

TË FUNDIT

Sindikata e pavarur e policisë në protestë. Këto janë kërkesat e tyre:

“Marrëveshje kolektive sipas BE-së, rritje të rrogave prej 25% të policisë së rregullt, gjyqësore, të pyjeve, të burgjeve”, u shpreh Goce Dellçev Todev nga Sindikata e pavarur e policisë.

Ata thanë se nuk e kanë marrë rrogën për muajin shtator. Dërguan edhe ultimatum.

Me bllokim të bulevardeve protestën e vazhduan para Kuvendit.

Atje i pritën kolegët e tyre, por nga ana tjetër të gardhit dhe të detyrës zyrtare. Ata nuk iu bashkëngjitën.

Protesta vazhdoi para Ministrisë së drejtësisë. Kishte edhe kërcënime.

“Ministër i drejtësisë, i zgjidhni problemet sepse nuk do të rrimë qetë”, u shpreh një protestues.

Ata kishin përkrahje ndërkombëtare.

Nga MPB për TV21 thonë se sindikata nuk ka kërkuar takim me ministrin.

“Në lidhje me protestën e Sindikatës së pavarur të policisë, ju informojmë se nga ana e tyre nuk është dorëzuar kërkesë për takim me ministrin. Nëse kërkesa e tillë arrin në periudhën në vijim, ministri Spasovski është në dispozicion, për realizimin e takimit me ta, si deri më tani”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sindikalistët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre, ndërsa paralajmëruan protesta me tenda.

“Nëse nuk zgjidhet statusi ynë, prej nesër do të jemi këtu me tenda. Njëherë të dihet për kë punon policia e burgjeve”, tha një protestues.

Protesta e sotme përfundoi para godinës së Qeverisë.