Nuk respektoi protokollet, policia e Tetovës arreston pronarin e lokalit dhe një person që ka refuzuar të legjitimohet

TË FUNDIT

Policia e Tetovës mbrëmë në orën 22 e 50 minuta ka privuar nga liria dy persona nga Reçica e Madhe.

Në raportin e Ministrisë së Brendshme thuhet se në një lokal në fshatin Bërvenicë të Tetovës, policë të Sektorit për Punë të Brendshme të Tetovës kanë privuar nga liria personat me iniciale D.K. 62-vjeç dhe N.S. 48 vjeç.

Kjo ka ndodhur gjatë një aksioni të policisë, ku bashkë me Inspektoratin e Tregut kanë dalë në terren për të parë nëse respektohen Protokollet për punën e kafeneve dhe objekteve hotelierike,  si masë e Qeverisë për parandalim të përhapjes së virusit korona.

“Është konstatuar se masat nuk janë respektuar nga D.K. i cili ishte pronar i objektit. Me këtë ka ekzistuar dyshimi për veprën penale “mosveprim sipas rregullave shëndetësore në kohë pandemie”, e dënueshme sipas nenit 206 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq N.S ka refuzuar të legjitimohet, ka nënçmuar zyrtarët policorë dhe gjatë kryerjes së kontrollit i është gjetur thikë. Pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të ngriten kallëzime adekuate” shkruhet në raportin e Ministrisë së Brendshme.