Për momentin i kemi 9.500 njerëz në kampin e ri, zyrtarisht 2.000 janë jashtë kampit dhe rreth një mijë njerëz do të hyjnë në kamp në ditët në vijim, deklaroi Ministri grek i Migracionit dhe Azilit, Notis Mitarakis, duke folur për televizionin grek “Skaj” mbi situatën në ishullin Lezbos dhe vendosjen e refugjatëve dhe emigrantëve në kampin e ri të përkohshëm, pas dy zjarreve në Moria.
Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, Mitarakis shpjegoi se po kërkohet vendi ku do të ndërtohet qendra e re e mbyllur e Lezbosit.
“Zgjedhja jonë politike është që të kemi qendra më të vogla, me kushte njerëzore të jetesës, më të sigurta, me standarde sigurie në mënyrë që të mos kemi përsëri çështje sigurie si brenda ashtu edhe për popullsinë lokale. Kjo është ajo që ne po bëjmë tashmë në Samos, Leros dhe Kos”, theksoi Mitarakis.
