Njëmbëdhjetë kooperativa bujqësore morën kontrata nga Agjencia për mbështetje financiare për bujqësi dhe zhvillim rural, me vlerë prej 9.2 milion denarësh. Me këto mjete do të sigurohen pajisje mekanike: dhjetë traktorë, pesë rimorkio për traktorë dhe mjete për vjeljen e frutave.
11 anëtarët e kooperativës së Agroekonomisë nga komuna e Mogillës, fituan mbi 1 milion denarë, me të cilat do të sigurojnë disa mjete të nevojshme për agrokulturë.
Zhivko Bukallevski nga kjo kooperativë thotë se kanë mungesa të shumta.
“Momentalisht për gjithçka. I fituam këto, po kemi aplikuar edhe për kombajnë. Deri vitin e ri duhet të na japin përgjigje a do të na pranojnë ose jo kërkesën. Nëse na e pranojnë, nuk do të bëhet mirë vetëm për ne, por për tërë komunën e Mogillës”, tha Zhivko Bukallevski nga Kooperativa e Agroekonomisë.
Më shumë kooperativa ka në Kopshtari dhe Pemëtari, ndërsa më së paku në sektorin e Blegtorisë, njoftojnë nga Asociacioni i kooperativave bujqësore. Problemi kryesor me të cilin përballen kooperativat është jodefinimi i kornizës ligjore, në kuptimin e asaj se çfarë nënkupton Shoqata e bujqve, thotë kryetari i këtij asociacioni.
“Për momentin kooperativat kanë probleme ligjore në aspektin se çfarë përfshijnë kooperativat bujqësore, për këtë arsye po punohet në ndryshimin e ligjit për kooperativat. Me këto ndryshime do të vijë deri tek situatë ku nëpërmjet statuseve të vet kooperativave të definohet saktësisht cilat modele, në çfarë mënyre do të funksionojnë për të tjerët”, u shpreh Mende Ivanovski, kryetar i Asociacionit të KB
Drejtori i Agjencia për mbështetje financiare për bujqësi dhe zhvillim rural Nikollçe Babovski, thotë se përkrahja e kooperativave bujqësore, ndihmon që të mbajë popullsinë në vendet rurale dhe të kemi ushqim cilësor. Ndërkaq ai potencoi se në vendin tonë përpunimi i tokave bujqësore është në një nivel shumë të ulët në krahasim me nivelin evropian.
“Madhësia mesatare e tokave të punueshme në ekonominë e vendit është 1.8 hektarë, që është dukshëm nën mesataren evropiane e cila shënon rreth 16 hektarë për një ekonomi bujqësore. Rreth 60 % e të gjitha ekonomive bujqësore përpunojnë më pak se 1 hektarë tokë, ndërsa 90% më pa se 3 hektarë”, deklaroi Nikollçe Babovski, drejtor i AMFBZHR.
Nga 22 qershori, është bërë thirrje e re për aplikime për shoqata ekonomike bujqësore, ku mund të aplikojnë kooperativat. Fondet janë të pakthyeshme dhe mund të përdoren për krijimin dhe funksionimin e kooperativave, për mbulimin e kostove bazë, angazhimin e ekspertëve, pagën mesatare të menaxherit, si dhe angazhimin e një punonjësi në fushën e shkencave bujqësore dhe mjekësisë veterinare.
Ndryshe sot është Dita ndërkombëtare e kooperativave bujqësore. Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë gjithsej 32 kooperativa bujqësore.
Përgatiti: Almedina Ismajli
