80 vite nga kodifikimi i gjuhës maqedonase! Gjuha shqipe në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

TË FUNDIT

Gjuha maqedonase është rrënja e identitetit maqedonas. Pa të, ajo nuk do të jetonte dhe as ne nuk do të ishim maqedonas. Këtë mesazh e dha presidentja Gordana Siljanovska Davkova në akademinë solemne në ASHAM me rastin e 80-vjetorit të kodifikimit të gjuhës maqedonase. Ajo tha gjithashtu se gjuha maqedonase ende përballet me sfida për mosnjohje.

“Sot, 80 vjet pas kodifikimit, gjuha maqedonase përsëri përballet me sfida. Sfida e parë janë hijet e nacionalizmave anakronikë ballkanikë, të cilët ende nuk janë pajtuar me realitetin e identitetit maqedonas. Në 30 vitet e fundit ka pasur përpjekje për të fshirë gjuhën maqedonase, që kanë variuar nga mohimi i saj i hapur deri te riemërtimi i saj në mënyrë eufemistike”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova – presidente e Maqedonisë së Veriut.

Presidentja Siljanovska u pyet edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve për të cilin u paralajmërua se Kushtetuesja do të sjell vendim pas zgjedhjeve lokale. Komisioni i Venecias tashmë ka përgatitur të ashtuquajturin mendim miqësor për këtë ligj, për çka Siljanovska nuk pret se do të jetë më ndryshe nga ai që e ka dhënë më parë.

“Besoj se Komisioni i Venecias nuk do të dalë jashtë atij mendimi, por natyrisht mendoj se do të ketë përfaqësuesin e vet kur do të diskutohet ligji për përdorimin e gjuhëve. Nuk duhet të parashikojmë paraprakisht se si do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Do të mbështetet në Kushtetutë, por gjithashtu do të marrë parasysh praktikën komparative europiane”, u shpreh presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova.

Seanca përgatitore për Ligjin për gjuhët do të mbahet më 19 qershor, por siç tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, vendimi do të merret pas zgjedhjeve lokale. Në ndërkohë, është dorëzuar mendimi edhe nga Komisioni i Venecias, i cili do të shqyrtohet gjatë seancës.